BE, thirrje Kosovës: Të goditen trafikantët, pse qytetarët duan të largohen!
Zyra e Bashkimit Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian në Kosovë kanë diskutuar sot për çështjen e migrimit masiv të qytetarëve. Ato kanë kërkuar nga Qeveria e re e sapoformkuar, që të merren me trafikantët dhe arsyet që po shtyjnë qytetarët për të migruar në vende të ndryshme të BE-së, diçka kjo e ngjashme në fakt edhe me të njëjtin problem që has Shqipëria dhe ku politikanët tanë ndeshen me kritikat e vendeve perëndimore.
Njoftimi i Zyrës së BE-së:
Sot, përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, në kontekst të Bashkëpunimit Lokal për Shengen, janë takuar për të diskutuar çështjen e rëndësishme të rritjes së numrit të qytetarëve kosovarë që po lëshojnë vendin për të udhëtuar për në Bashkimin Evropian, madje edhe duke kaluar ilegalisht kufirin për në BE.
I pranishëm në këtë takim ishte Shaban Guda, shefi i Policisë Kufitare të Kosovës, i cili foli për gjendjen aktuale me migrimin ilegal dhe për masat parandaluese që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës.
Me këtë rast, Thomas Gnocchi, Ushtrues Detyre i Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha:
“Sistemi i azilit në BE ekziston për qytetarët që i ikin përndjekjes ose rrezikut të madh në vendin e tyre dhe të cilët kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës, ka shumë pak gjasa që aplikimet për azil të pranohen. Çdo vendim për dhënien ose jo të azilit është individual, mirëpo duhet përmendur se shumica e aplikimeve për azil nga Kosova refuzohen dhe qytetarët kthehen në atdhe. Kosovarët, përfshirë këtu romët, ashkalitë dhe egjiptasit, rrezikojnë që të bëjnë shpenzime të konsiderueshme vetëm për t’u kthyer sërish në Kosovë, por mbesin edhe më të varfër pas kthimit.
“Edhe sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, nuk është në interes të Kosovës që numri i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në BE të rritet.
“BE-ja me shqetësim vë re përfshirjen e grupeve trafikante të organizuara dhe kriminale, të cilat shfrytëzojnë rastin të përfitojnë nga dëshpërimi dhe nga gatishmëria e disa kosovarëve për të ndërmarrë hapa të konsiderueshëm për të arritur deri në BE. Për këtë, u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të angazhohen fuqimisht e të mirren me këto grupe kriminale. Kosova duhet të angazhohet ngushtë me vendet fqinje në shkëmbimin e informatave për aktivitetet e trafikimit me persona.
“Qeveria e re duhet të merret edhe me faktorët shtytës për këtë migrim. Njerëzit kanë nevojë për punë që të kenë të ardhme. Në veçanti, ata persona që ndihen të margjinalizuar dhe të diskriminuar, grupet minoritare, kanë nevojë për përkrahjen e Qeverisë. Kosova duhet të rrisë përpjekjet e saj për integrimin dhe reintegrimin e tyre socio-ekonomik.”