Bekim Fehmiu, “Odiseu i Kosovës”
“Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodh as babën, as vëllezërit, as fqinjët, as perënditë, po vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë që, duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri– tjetri, por edhe kur e kemi bërë këtë, kemi mësuar vetëm të keqen”, pat thënë dikur, Bekim Fehmiu, për hapësirat ballkanike.
Nga Sevdail Hyseni
Në kuadër të “Javës së Nëntorit”, me të cilën fillojnë festat, më të dashura të shqiptarëve, për Ditën e Flamurit Kombëtar, në Pallatin e Kulturës, në Bujanoc, u bë përurimi i librit monografik, të autorit Fahri Musliu: “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”.
Në këtë eveniment të lartë kulturor, merrnin pjesë përfaqësues nga jeta institucionale: kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, deputeti popullor, Fatmir Hasani e personalitete nga fusha e arsimit, kulturës informimit dhe shoqëria civile.
Autori, Fahri Musliu, fillimisht, shprehu falënderimin për institucionet komunale të Bujanocit, të cilat ia kanë mundësuar organizimin e përurimit të librit për Bekim Fehmiun, aktorit të parë shqiptar të filmit dhe teatrit, i cili me rolet e tij brilante dhe emblematike, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë ballkanike, madje edhe në atë botërore.
“Unë nuk kam shkruar libër për Bekimin, por vetëm i kam përmbledhur shkrimet dhe materialet e ndryshme të botuara gjatë dhe pas jetës së tij, duke i siguruar nëpër arkiva përfshirë edhe arkivin familjar të aktorit, që gjeneratës së vjetër e të mesme, t’ua rikujtojmë kohën kur Bekimi ishte ikonë botërore dhe kur ne të gjithë mburreshim se ishte yni. Gjithashtu, kam pasur një obligim timin profesional e miqësor ta përmbush ndaj një artisti poliedrik, poliglot e euridit, me përmasa botërore”, theksoi autori i librit, Fahri Musliu.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij hyrëse, z. Musliu, nuk la pa përmendur kritikën e tij ndaj institucioneve shqiptare, të cilat kanë qenë mosvlerësuese ndaj veprës madhore të aktorit legjendar Bekim Fehmiu.
“Po mbushen gjashtë vjet nga vdekja e Bekimit e asnjë institucion nuk është marrë me veprën e tij artistike. Kjo monografi ka qenë dashur të jetë prodhim i kinematografisë së Kosovës, mirëpo duke parë se askush nuk po merret me veprimtarinë e Bekimit, atëherë jam detyruar personalisht t’i hy hartimit të kësaj monografie”, u shpreh Musliu.
Në vazhdim për monografinë foli Sevdail Hyseni, publicist nga Bujanoci, i cili vlerësoi lartë personalitetin e aktorit, duke thënë se shkëlqimi i Bekim Fehmiut, jeton edhe pas vdekjes së tij.
“Bekim Fehmiu, ka qenë një aktor i madh, që ka aktruar në 41 role, në filmat, që njihen si kryevepra: “Odiseja”, “Aventurieri”, “Dezertori”, “Rrugët” etj, ka bashkëpunuar me aktorë, regjisorë e producentë botëror si Dino De Laurentis, pastaj aktorët: Xhon Hjuston, Irena Papas, Brizhid Bardo, Ava Gardner etj, si dhe ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, italisht, anglisht, frëngjisht në gjuhën rome e tij”, nënvizoi Sevdail Hyseni..
Ndërkaq, Arbër Sadiku, nga këndi i arkitekturës dha disa detaje për personalitetin shumëdimensional të Bekim Fehmiut, i cili, ka qenë shumë miqësor, i afërt me familjarë, miq e dashamirë. Ai, sa herë ka ardhur nga Beogradi në Prizrenin e tij të dashur, është shoqëruar pa rezervë me njerëz, jo vetëm të skenës dhe filmit.
Belgzim Kamberi, gazetar dhe publicist nga Presheva, në diskutimin e tij, tërhoqi një paralele mes artit dhe politikës, duke fajësuar këtë të dytën, e cila në njëfarë mënyre, nuk u tregua e sinqertë ndaj veprës epokale të aktorit Bekim Fehmiu.
Në jetën kinematografike, Bekimi ishte një aktori i madh, një personalitet i shquar i filmit dhe teatrit, të cilit institucionet shqiptare i kanë mbetur borxh, me heshtjen dhe injorimin në kohën sa ishte gjallë aktori dhe pas vdekjes së tij.
Monografia “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, përbëhet prej tetë kapitujve, duke u nisur nga “Vetëvrasja si akt personal”, pastaj shkrimet për Bekimin pas vdekjes së tij, pjesë nga libri autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, Intervistat e Bekimit, shkrimet gjatë jetës së Bekimit, dramat dhe filmat e Bekimit, albumi familjar dhe kapitulli i fundit: Poezi kushtuar Bekim Fehmiut.
Në pjesën e dytë të përurimit të monografisë, nga nxënëset e Shkollës së Mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, u lexuan dy poezi të Ali Podrimes, kushtuar Bekim Fehmiut, si dhe u shfaq një pjesë nga filmi “Odiseja”, të producentit Italian Dino De Laurentis.
Vlen të theksohet se autori i Monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, është gazetar dhe publicist në pension. Jeton në Beograd, prej nga ka bashkëpunuar si korrespodent në Radio Televizionin e Kosovës, Radio Prishtinën e nga viti 1982, redaktor në gjuhën shqipe në Radio Jugosllavinë.
Nga viti 1985 e këndej ka punuar si korrespodent i rregullt i gazetës “Rilindja”, pastaj ka bashkëpunuar pas luftës së Kosovës me gazetat: “Zëri”, “Lajm”, “Koha ditore”,, si dhe gazetat në gjuhën serbe “Borba”, “Danas” dhe “Vjesnik” – un e Zagrebit, “Zërin e Amerikës”,
Përpos me gazetari Fahri Musliu, merret edhe me publicistikë dhe përkthime.
Ka botuar këto libra: “Tunelet e tmerrit”, bashkautor, më 1992, në Prishtinë, në serbisht ka botuar librin “Proceset e montuara ndaj shqiptarëve të Kosovës 1999–2001, Beograd, 2007. Po ashtu ka botuar librin “Ditari i një shqiptari në Beograd”, më 1999, pastaj “krenaria e Opojës”, më 2006 dhe “Masakra e Suharekës, mars 1999”, në Prishtinë, më 2010. Është marrë, gjithashtu me përkthimin e disa librave kushtuar dialogut shqiptaro – serb.