Beogradi jep miliona euro për serbët e Kosovës
I pyetur nga gazetarët se Prishtina, kundërshton financimin nga buxheti i Serbisë, të komunave në veri të Kosovës, Drecun, përgjigjet preras: “Ky është një kusht për mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
Nga Sevdail Hyseni
Buxheti i Serbisë për vitin 2017, ka paraparë pesë miliardë dinarë, për serbët e Kosovës. Kjo shifër mund të rritet nga ministritë përkatëse të shtetit serb, i cili me projekte konkrete ndihmon zhvillimin e kulturës, arsimit, informimit, shëndetësisë etj.
Kryetari i Këshillit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun, i ka thënë Radio Televizionit të Serbisë, se “këtë vit janë dyfishuar fondet për investime në Kosovë, nga të cilat do të ndërtohen dy deri tre shkolla, pesë qendra të mëdha mjekësore në Kosovë, në mënyrë që 29 qeveritë lokale, të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të veprojnë sipas sistemit të Serbisë”.
I pyetur nga gazetarët se Prishtina, kundërshton financimin nga buxheti i Serbisë, të komunave në veri të Kosovës, Drecun, përgjigjet preras: “Ky është një kusht për mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
Ndërkaq, deputeti popullor Ivan Kostiq, kryetar i Këshillit Parlamentar për diasporë, nga radhët e partisë “Dveri”, të financuar nga rusët, ka sugjeruar që buxheti nga 100 milionë dinarë të rritet në 260 milionë, dhe këto para të dedikuara Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, t’i merren dhe të investohet për serbët jashtë Serbisë.
Këto të dhëna flasin qartë se sa Serbia, është e organizuar në mbrojtjen, zhvillimin dhe afirmimin e serbëve jashtë shtetit amë. Nuk kursehen para nga buxheti i shtetit serb dhe donatorëve ndërkombëtarë për paga, honorare, projekte të ndryshme, për serbët në Kosovë, në mënyrë që ata mos t’i braktisin pronat dhe institucionet paralele në Kosovë.
Shqipëria dhe Kosova, nuk mund të ndjekin shembullin e Serbisë, për bashkëkombësit e tyre në Luginë të Preshevës, e cila në mungesë të fondeve nga Beogradi, nga i cili administrohet dhe në mungesë të një përkujdesje institucionale nga Tirana e Prishtina, ajo gjithnjë po tkurret, zbehet dhe boshatiset në heshtje.
Në Parlamentin e Kosovës, në vitin 2013, u pat miratuar një Rezolutë për Luginën e Preshevës dhe për formimin e një Fondi, për zhvillimin e saj, asgjë konkrete nga kjo iniciativë. Bile 100 mijë eurot e ndara nga Tirana dhe Prishtina për ngritjen e materniteti në Preshevës, me gazep janë realizuar, e mos të flasim për 400 mijë eurot e premtuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës për Këshillin Nacional të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Ngjashëm ndodh edhe më Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në Tiranë, e cila në konkurset për financimin e projekteve ka paraparë “të drejtën shqiptare’, me të cilën u mohohet e drejta e shqiptarëve jashtë shtetit amë për të aplikuar si bartës të projekteve, por në partneritet me ndonjë shtetas apo OJQ nga Shqipëria, si dhe realizimi i projekteve të mos bëhet jashtë territorit të saj. Nga kjo logjikë vuajnë edhe ministritë në Kosovë, në pamundësi për të gjetur rrugë dhe mënyra “elegante” për t’i ndihmuar bashkëkombësit e tyre në Luginë të Preshevës, ata i rrudhin krahët, me drojën se mund të akuzohen nga Beogradi dhe ndërkombëtarët për paternalizëm, apo jo? !
E shqiptarët e Luginës së Preshevës, vazhdojnë të presin, ashtu siç kanë pritur ndër vite, se do të bëhet mirë, në stilin e një mendimi, që kohëve të fundit ka shëtitur nëpër rrjetet sociale të facebook–ut: “Çfarë presim gjithë jetën? Veç copëza dashurie, që t’na vijnë nga të tjerët, nga ata që jetuam, duke i dashur, e po vdesim duke i pritur!”.