Beogradi “josh” serbët në veri të Mitrovicës, u ndërton shtëpi

Qeveria serbe ka dhënë mbi 2 milionë euro, për ndërtimin e shtëpive të tjera për serbët në veri të Mitrovicës.

Vetë kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriç, i cili të mërkurën dorëzoi për qytetarët serbë atje kontratat për 24 banesa, për të cilat qeveria e Serbisë ka investuar 518 mijë euro, ka thënë se janë siguruar mbi 2 milionë euro edhe për 6 njësi të tjera banimi, shkruajnë mediat kosovare.

Qeveria e Serbisë vazhdon të investojë në veri të Mitrovicës, në ndërtimin e objekteve të larta të banimit, për familjet që kanë probleme me strehimin, për çifte të sapokurorëzuara si dhe për familje të zhvendosura në Serbi.

Deri më tani në këtë vit qeveria e Serbisë me anë të Zyrës për Kosovën ka investuar 518 mijë euro për 24 banesa, ndërsa deri në fund të vitit pritet të ndërtohen edhe 80 banesa.

24 banesa të reja, kontratat e të cilave u janë dorëzuar qytetarëve serbë, janë ndërtuar në Lagjen e Boshnjakëve, me qëllim që të popullohen me serbë për t’ia ndryshuar strukturën etnike kësaj lagjeje, ku më së shumti është e populluar kryesisht nga shqiptarë dhe boshnjakë.

SHKARKO APP