Beteja me kufijtë që kemi brenda vetes

Nga Mero Baze

Dikur në fillim të viteve 90 kam tentuar të bëj një “trafik” me pasaportën time. Qani Mehmedit, i kishin bllokuar pasaportën në Kosovë, dhe kishte kaluar ilegalisht në Shqipëri, ku punonte tek Radio Tirana në redaksinë e Kosovës. I duhej të shkonte në Kërçovë tek njerëzit e vet dhe I duhej një pasaportë.

Në atë kohë pasaporttat e Shqipërisë ishin shumë të pasigurta. Fotografia kapej me dy kapse metalike dhe me një vulë të njomë tek cepi i djathtë poshtë. Dhe mund të merrje lehtë sa herë të doje.

Më në fund vendosa ti jap pasaportën time.

-Ndërro fotogarfinë,- I thashë, dhe kalo. Mua nuk më njeh njeri. Ishte diku tek 27 vjeç.

Ashtu e bëmë. Shkoi deri në Qafë Thanë, por fotografia ishte vendosur aq keq, sa e kuptoi dhe polici I parë qe mori në dorë.

-E ke fallco,- I tha dhe e ktheu.

U kthye në Tiranë dhe mu turr me të shara.

-Kollufuz, s’po din as me ndëru një fotografi, dhe u lëshua në karrike duke porositur birra.

Pastaj u qetësua dhe filloi të qeshte me manipulimin e trashë, që kishim tentuar të bënim të dy.

-Kollofuzë,- tha. Spo dini kurrgjë nga pasoshat ju të Shqipnisë. S’keni faj, dy vjet keni me pasosha. Ne kena një jetë e dimë diçka. Ishte një prioritet jugosllav me të cilin lëvdheshin të gjithë , “nacionalistët”, “titistët” dhe njerëzit e thjeshtë. Sidomos kur donin të krahasoheshin me Shqipërinë. Dhe gjithçka u kthye në humor.

E ruaj akoma atë pasaportë të dështuar në biblotekën time, si një përpjekje të dështuar, për të udhëtuar lirshëm në hapësirën mes shqiptarëve në vitet 90-të.

Ishte koha kur ai nuk shkonte dot në vendlindjen e tij, pasi vendi ku jetonte në Kosovë, I kishte marrë pasaportën dhe punonte në Shqipëri pa letra.

Ai ishte redaktori përgjegjës në redaksinë e Kosovës në Radio Tirana. Cdo ditë bënte një edicion lajmesh për Kosovën, por I duhej ti kombinonte dhe me lajmet që bëheshin nga Departamenti I Informacionit për Shqipërinë.

Shumë gjëra natyrisht dhe nuk I gëlltiste dot, por kishte etikën e profesionistit, që të bënte sikur nuk e kishte mendjen.

Por një ditë tjetër e hubi durimin.

Erdhi në tavolinë I mllefosur.

-Më thuj pak tha , kush m… është ky A. M. Ishte një redaktor I Shqipërisë në Radion Tiranën.

-Djalë I mire , -i thashë, për mos ta shtyrë sherrin.

-Ai më spihunon në SHIK,- më tha.

-Ku e di ti?

-Rri në krah tim kur bëj skaletin e lajmeve, dhe shkruan V pastaj një numur, p.sh. V6. Pastaj shkruan K..dhe një numur p.sh. K8. Pastaj shkruan B dhe vë zakonisht një 4 apo 3. Duhet të jetë ndonjë kod,- më tha.

U bëra kurjoz dhe I thashë do e pyes. E pyeta atë gazetarin që kish merak se çfarë bënte konkretisht në redaksi.

-Asgjë tha. Mbaj shënim sa lajme nga Vendi nga Kosova dhe Bota bën Buxha (kështu thirrej Qaniu) dhe përgatis kokat e lajmeve. Buxha I bën gjithë punët.

Kështu u shpjegua dhe konspiracioni rreth V. K. B. dhe shifrave pas.

Kur ja shpjegova Buxhës dhe këtë u dorzua.

-A kollofuza jeni ju të Shqipnisë. Nga pasoshat s’merrni vesh, veç ta ftofni duke mos bë kurrgjë, e duke vjedh punën tonë.

Dhe kështu mes problemeve të tij të mëdha që shkonin deri në mbijetesë, mes opinionit të egër anti kosovar të krjuar nga disa bozaxhinj dhe spekulant financiar, që kishin mbrit të parët në Tiranë, dhe pamundësisë së tij për të lëvizur edhe në vendlindjen e vet, ai arriti të jetonte si një qytetar normal në Tiranën e viteve 90, duke u ndjerë si një nga ne.

Pas çlirimit të Kosovës iku dhe shikoheshim rrallë. Dje mësova që ka ikur përgjithnjë dhe u ndjeva keq, kur kuptova se sa shumë  jemi larguar me njëri tjetrin, tani që nuk kemi më kufinj shtetëror që na pengojnë. Është beteja me kufijtë që kemi brenda vetes. TemA

SHKARKO APP