Bllokada e kufijve godet bizneset e Kosovës

Bllokada e pikave kufitare nga transportuesit e rajonit ka ndaluar qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen, duke ndikuar drejtpërdrejt në importet dhe eksportet e Kosovës. Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë, përballen me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare. Ekspertët paralajmërojnë për mundësinë e rritjes së çmimeve, duke nënvizuar nevojën për politika mbrojtëse dhe stimuj për prodhuesit vendorë.

Kompania kosovare “Relux”, e cila prodhon ngjyra dhe fasada, po përjeton pasoja të menjëhershme nga bllokimi i pikave kufitare mes disa vendeve të rajonit dhe të BE-së: produktet e saj për në Britani të Madhe nuk kanë mundur të nisen sipas planit. Drejtuesi i kompanisë, Ramiz Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai është eksportues i rregullt dhe, sipas marrëveshjes, prodhimet do të duhej të arrinin në destinacion brenda kësaj jave. Në të kundërtën, kontrata rrezikon të shkelet, të rinegociohet ose të dështojë fare.

“Ne mund ta humbim këtë blerës, që është potencialisht më i rëndësishmi që kemi”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë. Ai paralajmëron se vonesat mund t’i dëmtojnë edhe kontratat me partnerët tjerë – në Gjermani dhe në Kroaci – duke rrezikuar kështu investimet e bëra me kredi bankare që duhet të shlyhen brenda afateve të caktuara. Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Swiss Digital Desktop Reklama

Protesta e tyre është kundër sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, i njohur si EES. Ky sistem parasheh që shtetasit jashtë Schengenit të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda 180 ditësh, por, sipas transportuesve protestues, kjo periudhë nuk mjafton – sidomos për ata që udhëtojnë në vende më të largëta – ndaj edhe shkakton humbje ekonomike dhe rrezik për dëbime. Ata kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga ky rregull dhe paralajmërojnë se bllokada do të zgjasë shtatë ditë, nëse brenda kësaj periudhe nuk gjendet një zgjidhje.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kosova nuk merr pjesë në protestë, por ndien pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende. Për më tepër, edhe shoferët kosovarë i prek njësoj sistemi EES. Rasti i kompanisë “Kalaja Epox” në Shtime tregon pasojat e bllokadës edhe në import. Ruzhdi Rexhaj nga kjo kompani thotë se porosia e rrëshirave epokside nga një kompani austriake, tashmë e paguar dhe e ngarkuar, mund të vonohet ose të dështojë. “Çfarë t’u themi klientëve? U kemi thënë tashmë se malli i porositur, ngarkohet më 27 janar dhe vjen deri në fund të javës. Tani, nuk e dimë se kur do të arrijë këtu, ndërkohë që kemi edhe projekte që i kemi filluar, duke shpresuar në këtë material”, thotë Rexhaj për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, çdo vonesë e dëmton edhe reputacionin e kompanisë dhe mund të sjellë gjoba sipas kontratave.

Rrezik për kontratat dhe çmimet

Për të adresuar situatën, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës iu drejtua me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se protesta njëjavore mund të shkaktojë pasoja të mëtejshme për kompanitë kosovare – përfshirë rrezikimin e kontratave me partnerët evropianë. Drejtori i kësaj ode, Kushtrim Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë se, sa më gjatë të zgjasë bllokada, aq më i madh është dëmi për kompanitë. Ai paralajmëron se vonesat dhe pengesat në transit nuk godasin vetëm bizneset që eksportojnë dhe importojnë, por mund të pasqyrohen edhe te konsumatorët.

“… mund të ketë ndikim edhe në çmimet e produkteve në Kosovë, sepse rritet kërkesa për to”, shton Ahmeti. Sipas tij, importi enorm i mallrave nënkupton edhe importimin e krizave. “Çfarëdo që ndodh në vendet prej ku importon, automatikisht ka ndikim. Kjo është jashtëzakonisht problematike”, thotë ai. Kosova është importuese e gati të gjitha produkteve – nga ushqimi deri te materiali ndërtimor e tekstili. Sipas të dhënave të Doganës, importet e vitit të kaluar kapën vlerën e mbi 7 miliardë eurove, ndërsa eksportet ishin rreth 942 milionë euro – një bilanc që e bën vendin të ndjeshëm ndaj çdo pengese në transit.

Nisur nga kjo, edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Berim Ramosaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se bllokada në kufij krijon presion të drejtpërdrejtë në tregun vendor. “Reflekton keq në ekonomi, e reflekton edhe te konsumatorët, sepse ka gjasa të rriten çmimet”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Importimi i krizave

Me varësinë e madhe nga importi, Kosova ka përjetuar edhe më herët pasojat e krizave të jashtme. Një nga shembujt më të theksuar ishte viti 2022, kur inflacioni arriti në rreth 14 për qind, si pasojë e çrregullimeve në zinxhirin global të furnizimeve – fillimisht nga pandemia COVID-19 dhe më pas nga lufta në Ukrainë. Në vitet që pasuan, inflacioni shënoi trend rënieje, por gjatë vitit të kaluar u rikthye sërish në rritje, duke reflektuar presionet e vazhdueshme në treg. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e prodhimit në vend, në periudhën janar-shtator 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, u rritën për 5.5 për qind.

Mes varësisë nga importi dhe mungesës së mekanizmave mbrojtës

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se asnjë vend përfshirë edhe Kosovën nuk mund të shmangë plotësisht importin e produkteve të caktuara. Megjithatë, sipas tyre, niveli i lartë i varësisë nga importi e bën vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj krizave të jashtme. Ramosaj thotë se Kosova, si vend i vogël me bilanc të dobët tregtar dhe me nivel të ulët të integrimit evropian, do të vazhdojë të jetë më shumë konsumuese e krizave sesa faktor që i prodhon ato.

“Ne jemi aq vend i vogël sa nuk jemi në gjendje të eksportojmë kriza, por gjithmonë t’i marrim faturat e të tjerëve. Kjo është natyra e pozicionit tonë – qoftë në aspektin e zhvillimit ekonomik, politik apo të raporteve që kemi me vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Ramosaj. Sipas tij, ky realitet duhet të shërbejë si sinjal për institucionet e vendit që t’i intensifikojnë përpjekjet drejt integrimit evropian dhe krijimit të politikave më të qëndrueshme ekonomike.

Ai thekson se për të zbutur ndikimin e krizave të importuara, nevojiten mekanizma të planifikuar mirë, të cilët nuk e dëmtojnë ekonominë e tregut të lirë. Ai po ashtu përmend se shumë vende kanë gjetur forma për të mbrojtur prodhimin vendor, investitorët dhe konsumatorët, qoftë përmes masave doganore, tarifore apo subvencioneve. “Ne ende nuk i kemi këto politika të rregulluara mirë”, vlerëson ai. Në të njëjtën linjë, edhe Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, thekson se Qeveria duhet të shqyrtojë masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve dhe të prodhuesve vendorë.

Sipas tij, një nga opsionet mund të jetë pezullimi i përkohshëm i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet esenciale dhe të konsumit të përditshëm. Ai thekson se institucionet duhet ta stimulojnë edhe prodhimin vendor të këtyre produkteve. “Kërkesa vendore për produktet esenciale, që janë të domosdoshme për çdo qytetar, do të duhej të mbulohej të paktën 50 për qind nga prodhimi vendor”, thotë ai, duke shtuar se prodhuesit kanë nevojë për një strategji të qartë mbështetjeje, përmes granteve për teknologji, investime dhe mbrojtje të produkteve të tyre në treg. Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për çështjen e bllokimit të kufijve qysh më 26 janar, por nuk mori përgjigje.

Në disa raste, ajo ka ndarë subvencione për prodhuesit, por ato nuk kanë arritur të gjenerojnë rritje domethënëse të prodhimit vendor. BE-ja njoftoi se po punon për lehtësime që do t’u mundësonin shoferëve të kamionëve dhe disa profesionistëve të tjerë qëndrime më të gjata në Zonën Schengen. Nga një vendim i tillë do të përfitonin direkt edhe qytetarët e Kosovës. “…sepse, kompanitë detyrohen që çdo tre muaj të punësojnë shoferë të rinj”, tha për Radion Evropa e Lirë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës./REL/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?