Blloku opozitar, AAK: Duam qeveri pa Kurtin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmoi se nuk ka pranuar ndonjë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje por nuk janë të interesuar për një të tillë pasi do ta refuzonin. Partia e Ramush Haradinajt thotë se janë takuar me të gjitha partitë që kanë qenë në opozitë në katër vitet e fundit në mënyrë që të mos lejojnë një tjetër qeveri që do të drejtohet nga Albin Kurti.
“Me Nismën kemi pasur më herët takim por tani kohëve të fundit jemi të interesuar me partitë opozitare në këtë rast PDK,LDK, Nismën të gjithë partitë që janë në opozitë me partitë e minoriteteve joserbe të krijojmë qeverinë e re”, tha Ahmet Isufi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme që të heq dorë nga kushtëzimi për ndonjë post qeveritar në mënyrë që përpjekjet për një qeveri pa Vetëvendosjen të jenë të suksesshme. Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për seancën konstituive për betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni ndërsa mbetet e paqartë nëse do të mund të votohet edhe qeveria e re.