Bujanoci, qendër arsimore evropiane
Për t’i dhënë edukimit, një perspektivë evropiane, hapi i parë është hedhur me nënshkrimin e një Memorandum – bashkëpunimi, mes kryetarit të Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, me organizatat austriake: Balkan Relief Organization, Saviano Batanov & Siegfried Zeltner dhe ASAS Aus-und Weiterbildung GmbH, Martin Stieger.
Nga Sevdail Hyseni (Preshevë)
Java e fundit e shtatorit, në rajonin e Luginës së Preshevës, përkatësisht në Komunën e Bujanocit, është karakterizuar me një varg aktivitetesh në sferën e arsimit, njërës nga fushat më të ndjeshme të shoqërisë sonë.
Për të alarmuar gjendjen e vështirë të arsimit shqip, në Komunën e Bujanocit, kryetari i saj, Shaip Kamberi, për dy ditë rresht, qëndroi për një vizitë pune, në Vjenë të Austrisë.
Gjatë takimeve, që ka zhvilluar z. Kamberi, me personalitete të ndryshme austriake, është bërë e ditur për një bashkëpunim mes organizatave të ndryshme dhe Komunës së Bujanocit, për të investuar në fushën e avancimit të procesit mësimor.
“Në Vjenë të Austrisë, realizova një numër të takimeve me autoritete të ndryshme austriake dhe organizata të interesuara për bashkëpunim me komunën tonë. Temë e takimeve ka qene eksplorimi i mundësive për të zgjidhur një numër të problemeve të Komunës së Bujanocit e mbi të gjitha zgjidhja e çështjes së arsimit të lartë. Tashmë, për t’i dhënë edukimit një perspektivë evropiane, hapi parë është hedhur me nënshkrimin e një Memorandumi bashkëpunimi me Balkan Relief Organization, Saviano Batanov & Siegfried Zeltner dhe ASAS Aus-und Ëeiterbildung GmbH, Martin Stieger”, ka shkruar në rrjetin e tij social, njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.
Memorandumi i bashkëpunimit, i firmosur mes organizatave austriake dhe kryetarit, Shaip Kamberi, siguron një zgjidhje alternative të edukimit, duke hapur mundësinë që Bujanoci, të kthehet në një qendër arsimore evropiane në rajon.
Me të kthyer nga takimi i frytshëm i Vjenës, në Bujanoc, kryetari, Shaip Kamberi, priti në një vizitë me karakter pune, një delegacion nga Republika e Kosovës, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të drejtuar nga Bajram Gecaj, zëvendësministër.
Në kuadër të këtij takimi, temë e bisedimeve, ishin mungesa e teksteve shkollore, mos-nostrifikimi i diplomave nga Beogradi dhe probleme të tjera të natyrës së arsimimit të lartë në Luginë të Preshevës.