Buzhala i kërkon falje Vjosa Osmanit dhe merr masa në redaksi

Vizita tre ditore e Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani në Shqipëri, bëri bujë të madhe. Një shkrim i botuar në median “Expres” të Kosovës për shpenzimet e Osmanit, u shfrytëzua me shpejtësi edhe nga mediat pranë kryeministrit Edi Rama në Shqipëri, për të vazhduar denigrimin e saj.

Sipas shkrimit, Vjosa Osmani personalisht ka shpenzuar 1 mijë euro vetëm për ushqimin e saj, por menjëherë pas kësaj ka ardhur edhe përgënjeshtrimi me fakte. Vetë Osmani nëpërmjet një statusi në facebook, demontoi këtë lajm të rremë, duke theksuar se shpenzimet në këtë shumë kanë qenë për të gjithë delegacionin me 8 zyrtarë të cilët qëndruan 3 ditë në Shqipëri.

Botuesi dhe drejtuesi i gazetës “Express” në Kosovë, Berat Buzhala, i ka kërkuar ndjesë Presidentes dhe ka njoftuar se janë marrë masa për redaktorët përgjegjës që kanë lejuar këtë “fake news”.

“Gazeta Express dhe unë personalisht i kërkojmë falje Vjosa Osmanit për këtë gabim. Në mediumin të cilin unë e drejtoj, nuk është standard që qëndrimet e mia editoriale, ose të medias, me e e ndiku raportimin korrekt dhe të bazuar në fakte. Ky shkrim për Vjosën është nën minimumin e standardeve tona. Gazetarët dhe redaktorët përgjegjës do të duhej më e pasë të qartë këtë gjë. Për shkak të këtij lëshimi dhe për shkak të një lëshimi të javës së kaluar, të shtunën, lidhur me Lëvizjen Vetëvedosja, ne kemi marrë masa ndaj përgjegjëseve në kompaninë tonë, që do të duhej punën e tyre të bënin më mirë. Po e përsëris, qëndrimet editoriale asnjëherë nuk duhet të përzihen me raportimin ditor. Edhe njëherë i kërkojmë falje sinqerisht Vjosa Osmanit”, shkruhet në reagimin e tij në facebook.

SHKARKO APP