Bytyçi: Pse nuk mund të realizohet padia për krime lufte ndaj Serbisë

Enver Bytyçi ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në studion e Fax News, ku foli lidhur me qeverinë e re të Kosovës, e cila u votua dje në Kuvend. Sipas Bytyçit kjo qeveri ka një numër më të ulët ministrash dhe zv.ministrash, dhe tregon se do të jetë në shërbim më të madh të qytetarëve.

Një nga momentet kur koalicioni qeverisës mund të vendoset në dyshim, sipas studiuesit, është zgjedhja e presidentit që do të bëhet pas afro 1 viti. Sipas tij ka një pakt të heshtur që ky post do ti besohet Vjosa Osmanit, e cila tani mori drejtimin e Parlamentit.

“Qeveria ishte produkt i votimit të qytetarëve, ajo që dua të theksoj është se qeveria e re është më me pak ministra dhezv.ministra. Ka 15 ministri nga 20 apo 21 që kanë qenë më përpara, është një mesazh që iu thotë qytetarëve të Kosovës, që qeveria është në shërbim të tyre, dhe jo në shërbim të subjekteve politike.

Është një qeveri që ka një mbështetje të gjerë në Kuvendin e Kosovës, më shumë se çdo qeveri e mëparshme. Kjo është qeveria e parë që drejtohet nga parti që kanë dalë të parat në zgjedhje, çka i jep më shumë fuqi në vendimmarrje, do të thotë që autoriteti i kryeministrit e lejon që të marrë vendime.

Nuk ka pasur probleme lidhur me programin qeverisës, edhe pse të dyja ato si parti kanë raporte të ndryshme me pronën me individin, koalicioni në mendimin tim është i qendrueshëm.

Problematika natyrisht që do të ketë, në rast se do të kapërcehet momentii zgjedhjes së presidentit të ri, që do të jetë pas rreth një viti, ky koalicion do të zgjasë deri në fund të tij.

Vjosa Osmani e pranoi që të ishte në krye të Kuvendit të Kosovës, pasi ajo do të trashëgojë postin e Presidentit të Republikës vitin e ardhshëm. Edhe në LDK zgjedhja e saj në presidencë do të ishte e favorshme, pasi ajo nuk mund të garojë më pas për postin e kryetares së partisë”, u shpreh Bytyçi.

Ndërkohë duke iu referuar qendrimeve të opozitës në Kosovë, Bytyçi tha se përfaqësuesit e saj dukeshin sikur nuk kishin qenë asnjë ditë në pushtet.

Një nga pikat që sipas studiuesit nuk mund të realizohet nga premtimet e Kurtit, është padia kundër Serbisë për krime lufte. Sipas tij kjo do të mund të evitohej me ndërhyrje ndërkombetare dhe me njohje reciproke nga ana e Serbisë.

“Fatmir Limaj u pajtua me presidentin e Kosovës, për ndarjen e territoreve, ata që janë zhytur në tradhëti tani pohojnë të kundërtën. Nuk është çudi që pas pak ditësh të shohim Hashim Thaçin duke thënë në televizion se ai nuk ka pasur asnjëherë qëllim që të rishikonte territoret.

Limaj dje bënte rolin e shpëtimtarit të kombit, skena të tilla janë të turpshme, ashtu siç ishte deklarata e Kadro Veselit që aludonte se Albin Kurti është i përfshirë në vrasjen e Astrit Deharit. Ishte një ton i pazakontë, dhe për mua kjo është shqetësuese.

Sfida e Kurtit dhe e Osmanit është kjo, se do të përballen me kriminelë të kombit, që tashmë do të shiten në opozitë si të jenë me duar të pastra. Është e mira që njerëzit të njohin gabimet e tyre, të shkuara, zoti Limaj dhe Veseli, bënin sikur kanë ardhur nga një planet tjetër, dhe nuk kanë qenë asnjë ditë në qeverisjen e vendit.

Padia daj Serbisë për krime lufte është pika më e vështirë për tu realizuar, faljen e krimeve të luftës do të kërkohet me insistim. Shpërblimin Kosova e ka marrë për ato krime lufte, pasi ajo tashmë është e njohur ndërkombëtarisht.

Do të ketë një ndërhyrje ndërkombëtare për ta shmangur këtë padi, dhe mendoj se falja e krimeve të luftës nëse ndodh në këmbim të njohjes së saj, duhet të bëhet me një referendum.

Viktimat e dhunës së Serbisë në Kosovë, nuk janë politikanët, por qytetarët, pasi politikanët me thënë të vërtetën kanë qenë përfituesit e kësaj dhune. Qytetarët me shumë shanse do të pajtohen me këtë falje, kundrejt ecurisë përpara të vendit”, përfundoi Bytyçi.

SHKARKO APP