Çfarë po ndodh me kryeministrin e ri! Vetëvendosje: Propozimi sot, por shkresa në presidencë, në ditët në vijim
Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë do të bëjë propozimin për kryeministrin e mandatuar por shkresën zyrtare presidentit do ia dërgojë në ditët në vijim. Referuar njoftimit zyrtar, vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!
“Në respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Nenit 84 pika 14 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 103/14, subjekti ynë do të bëjë propozimin për mandatarin për Kryeministër. Këtë propozim do t’ia dërgojmë me shkresë zyrtare Presidentit të Republikës në ditët në vijim.
Pas pranimit të shkresës sonë zyrtare, në respekt të Kushtetutës, Nenit 95 pika 1, dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese presim që Presidenti t’ia drejtojë Dekretin me propozimin tonë Kuvendit të Republikës së Kosovës” shkruhet në njoftimin e LVV.
Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës.
Referuar mediave në Kosovë, sonte (8 janar) skadon afati 48 orësh i dhënë nga presidenti Hashim Thaçi për propozimin e kryeministrit të ri.
“Ndonëse nga Zyra e Presidentit nuk kanë pranuar të deklarohen sot rreth kësaj çështjeje, nga burime brenda këtij institucioni mësohet se afati 48 orësh i presidentit Thaçi, të cilin e dha pas takimit me Kurtin, zyrtarisht skadon sonte në orë 24:00.
Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se presidentit i duhet propozimi me zarf i emrit të të nominuarit për kryeministër, por sipas njohësve të Kushtetutës, kjo nuk është fare e nevojshme dhe si procedurë nuk është obligative, pasi që Kurti edhe ditën e takimit me Thaçin ka folur si kryeministër në ardhje.
Po ashtu, ai është edhe fitues i zgjedhjeve si kandidat për kryeministër, prandaj çdo përpjekje për shmangie nga marrja e përgjegjësisë si mandatar në përpjekje për të fituar kohë, mund të ndalohet nga ana e presidentit Thaçi me një vendim zyrtar.
Madje, sipas njohësve të Kushtetutës, bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të presidentit, ai mund të shqyrtojë edhe opsione të tjera, përderisa Kurti si fitues i zgjedhjeve nuk po e shfrytëzon të drejtën e tij për ta marrë mandatin dhe formuar qeverinë e re.
Në të kundërtën, loja politike që pretendentët për kryeministra mund ta luajnë mund të zgjasë edhe me vite të tëra, duke iu shmangur përgjegjësisë dhe rrezikuar me themel edhe stabilitetin e shtetit, prandaj çdo president si garantues i funksionimit kushtetues të institucioneve obligohet që të marrë vendime konform Kushtetutës, e cila lë zbrazëtira të shumta juridike pikërisht për vendime politike” shkruan RTK.
Në historinë e Kosovës, për herë të parë fituesi i zgjedhjeve po heziton të mandatohet për kryeministër. Deri më tani, është prezantuar një pjesë e kabinetit qeveritar.