Çfarë po ndodh në Kosovë? Thaçi: Serbët po armatosen si në Krime

Viti 2017 ka nisur me një sërë ngjarjesh që tregojnë për tensione dhe skenarë të rrezikshëm në Kosovë. Incidenti i trenit serb në Mitrovicë ishte vetëm pjesa më e dukshme e asaj që po ndodh në shtetin më të ri në Europë. Konflikti me trenin u shmang falë edhe qëndrimit të qeverisë së Kosovës dhe ndërhyrjes së autoriteteve ndërkombëtare. Por a është ky incident i fundit? Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se do të ketë provokime të tjera të rënda. Sipas tij, në trenin që u kthye mbrapsht ka pasur armë dhe forca speciale serbe.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Thaçi alarmin se serbët e veriut të Kosovës po armatosen. “Sa i përket trenit ai ishte me motive të qarta provokuese për Kosovën dhe i inspiruar me modelin rus, por vendosmëria e Kosovës bëri që ai tren të mos i afrohet kufirit te Republikës së Kosovës. Ndryshe, sikur të afrohej, nuk mund të them se nuk do të fillonte ndonjë konflikt i armatosur. Kosova ka qenë e gatshme t’i përgjigjet në mënyrë shtetërore këtij provokimi. Ne kemi informacione se në tren ka pasur armatim dhe njerëz paramilitarë me qëllim që të futen në Kosovë dhe destabilizojnë Kosovën. Njëkohësisht e njohim edhe planin serb për ndarjen e Kosovës, por e dimë po ashtu se Serbia po i armatos serbët në veri”,- tha Thaçi.

Dje në Bruksel Presidenti Thaçi, Kryeministri Isa Mustafa u takuan me homologët e tyre serbë, Tomislav Nikoliç dhe Aleksandër Vuçiç. Takimi edhe pse ndër të rrallët në këtë format, përveç frazave standarde nuk solli ndryshim të qëndrimeve të palëve për pikat e dialogut që po diskutohen.

Veç provokimeve, ajo që vihet re është dhe përmendja hapur e një plani për ndarjen e Kosovës, tezë e cila është artikuluar më parë nga politikanë serb. Por nuk kanë munduar zëra që përkrahin këtë ide dhe në Kosovë. Së fundi ishte akademiku Rexhep Qosja që e përmendi si mundësi. “Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë. Por është koncept të cilin ne duhet ta kemi përpara gjithnjë. Çështja serbe për shqiptarët për mendimin tim mund të zgjidhet vetëm në këtë mënyrë“,- ka thënë Qosja.

Po sot, një ide e tillë është përmendur si një plan serb edhe nga Presidenti Thaçi, i cili tha se Prishtina zyrtare është kundër nismave të tilla. “Jo, ne jemi kundër ndarjeve, sepse ndarjet janë vetëm hyrje në koncepte të rrezikshme që mund të përfshijnë tërë Ballkanin Perëndimor. Kosova angazhohet për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial”,- tha ai.

Situata duket edhe më e paqartë për shkak se Bashkimi Europian nuk ka reaguar me vendosmëri ndaj  provokimeve serbe. Duke vënë shenjën e barazisë mes Serbisë dhe Kosovës, Brukseli vetëm sa ka lejuar përsëritjen e provokimeve serbe. Ndërkohë që situata është e qartë se Kosova është shtet dhe Serbia nuk mund ta trajtojë si një ish-krahinë të sajën.

Ajo çfarë duket më e rëndë në këto zhvillime është përsëritja e skenarit të Krimësë në Kosovës. Presidenti Thaçi e përmendi si mundësi reale duke bërë apel edhe për faktorin ndërkombëtarë që të reagojë sa nuk është vonë.

“Serbia është duke shfrytëzuar stilin, metodat dhe format ruse sikur në Ukrainë. Dhe atje janë futur edhe rusë, të cilët janë duke bashkëpunuar ngushtë me Beogradin dhe janë duke përgatitur njësi paramilitare, ende pa uniforma, por të armatosur me armë moderne të dorës. Kjo po bëhet direkt nga autoritetet e Beogradit.  Unë e kam ngritur këtë shqetësim edhe në BE dhe heshtja e tyre është shqetësuese. Një vonim i tillë ka ndodhur dikur edhe në Bosnje në vitet 90-të, një heshtje e tillë ka ndodhur edhe në Kroaci dhe Kosovë dhe i kemi parë pasojat. Ndaj BE duhet të kujtojë sjelljet e Beogradit nga kohërat e mëparshme, të cilat nuk dallojnë nga ato të sotmet”,- deklaroi Thaçi.

Lexoni dhe:

Thaçi: Serbia po krijon njësi paramilitare si në Krime

Minxhozi: Prej 3 muajsh situata në Kosovë është e tensionuar

Komisioni i Jashtëm, Dade: Treni serb ishte provokim

Profesori i Harvardit: Ja çfarë do të ndodhë në mars në Kosovë

Thaçi e Nikoliç për herë të parë përballë (FOTO-VIDEO)

Qosja: Veriu i Kosovës t’i jepet Serbisë për Preshevën

Ish-ministri i Mbrojtjes pro shkëmbimit të territorëve

SHKARKO APP