Çfarë pritet të ndodhë? Dialogu Kosovë-Serbi është vënë “nën lupën” e SHBA-së dhe BE-së

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar deri më tash nga Bashkimi Evropian, ka ngecur aq shumë, sa që është vështirë e mundshme që nga vetë Bashkimi Evropian, ky dialog të ringjallet dhe të fitojë dinamikë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë veprime që paralajmërojnë përfshirjen e saj të mundshme për rinisjen e dialogut dhe ndërmjetësimin për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do ta zgjidhte kontestin Kosovë-Serbi.

Më 23 janar, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori Richard Grenell, ka vizituar Kosovën dhe ka porositur lidershipin politik dhe institucional të Kosovës që ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ndërkaq që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjes së shtetit të Kosovës.

Brenda pak kohësh, ambasadori Grenell ka arritur të ndërmjetësojë në nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, si dhe ka arritur pajtimin në parim të palëve për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Më 30 janar, Kosovën e ka vizituar, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Borrell, më 31 janar, në Beograd, ka thënë që “Bashkimi Evropian duhet të emërojë një përfaqësues të posaçëm, i cili do të jetë shumë i angazhuar”, për shkak se ai vetë nuk është i sigurt se do të ketë “kohë të mjaftueshme për t’u angazhuar dhe për ta shtyrë dialogun përpara”.

Zbehja e rolit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se zbehja e rolit të Bashkimit Evropian si një lehtësues i dialogut Kosovë – Serbi, ka ndodhur për shkak të gabimeve të mëdha dhe noshalancës me vite, për të ndërmjetësuar në realizimin e marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel.

Gjithashtu, siç thonë ata, mospërputhjet e mëdha që ekzistojnë brenda vendeve të Bashkimit Evropian për mënyrën e përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi, e kanë bllokuar vetë atë që të ketë besimin e palëve për arritjen e një zgjidhjeje konkrete të pranueshme për palët.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Borrell tashmë gjendet para situatës që t’i kompensojë lëshimet e paraardhëses së tij, Federica Mogherini. Por, sipas tij, ekzistojnë sinjale, se për një gjë të tillë nuk ka, as vullnet, e as ndonjë plan konkret.

“Duke pasur parasysh edhe një problem tjetër, që ai vjen nga Spanja dhe në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë do ta ketë një lloj presioni nga qeveria e tij. Prandaj, nuk mund të pritet shumë nga Borrelli. Mund të ketë vetëm deklarata shterpe dhe burokratike për domosdonë e vazhdimit të dialogut, mirëpo është krejtësisht e pabesueshme që ai të vijë me ndonjë motivim, me ndonjë plan konkret, i cili do të mund të lëvizte nga ngecja dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se jo vetëm praktikat e Bashkimit Evropian në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe politikat e saj integruese, të cilat kanë vënë në pikëpyetje sinqeritetin e saj rreth zgjerimit në drejtim të Ballkanit Perëndimor, kanë shkaktuar humbje besimi në efikasitetin e saj.

“Faktikisht (BE-ja) e ka humbur besimin e popujve të Ballkanit në integrimet euroatlantike. Koha nuk pret derisa BE-ja të ndërtojë një strategji të re franko-gjermane për Ballkanin në Evropë ose derisa të bëjë një hapje të re të integrimeve. Mbi këtë bazë, unë konsideroj që është plotësisht e drejtë që të mos pritet, por të ndërmjetësohet. Kredibilitetin e ndërmjetësimit e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është mirë që po bisedojnë”, vlerëson Tahiri.

Ndihma ekonomike e SHBA-së, ‘karrem’ për marrëveshjen

Investimi i kapitalit dhe ndihma ekonomike për Kosovën dhe Serbinë, në rast se ato arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, është premtim të cilin e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadorit Grenell.

Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson që është e pakuptimtë që zhvillimet e mëdha ekonomike të ndodhin pa zhvillime të mëdha politike. Sipas tij, fillimisht duhet të qartësohet gjendja politike në rajon, në mënyrë që të jetë e mundur që të vijnë investimet e mëdha.

Por, siç thotë ai, në opinionin në Kosovë dhe në Serbi, premtimi amerikan për zhvillim ekonomik, ka jehonë të madhe. Kësisoj, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë synohet një lloj presioni ndaj politikanëve në Kosovë dhe në Serbi, që të jenë sa më konstruktiv në etapën përfundimtare të dialogut.

“Është një karrem, sepse është një lloj versioni modern i ‘Planit Marrshall”, pra, tani me specifikë për Kosovën dhe Serbinë, sepse konsiderohet që premtimet politike mund të mbesin të parealizueshme nëse nuk ka ndonjë bazë më konkrete. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, baza më konkrete mund të jetë premtimi për zhvillimin ekonomik. Është edhe një element tjetër, që edhe qytetarët e Kosovës, por edhe ata të Serbisë, besoj që u besojnë premtimeve publike të amerikanëve për ndihmë”, vlerëson Muhaxhiri.

Politologu Ramush Tahiri, shpreh mendimin që opsioni më i mirë do të ishte që në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, të ndërmjetësonin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimi Evropian.

Por, sipas tij, aktualisht, për shkak të zhvillimeve të brendshme, Bashkimi Evropian e ka të pamundur të jetë ndërmjetësues i besueshëm, të paktën për Kosovën.

“Për shkak të mospranimit nga 5 vende (v.j. të BE-së), nuk e ka një qëndrim neutral ndaj kontestit ose për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shumë të qartë dhe e thonë që pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe i padiskutueshëm në tavolinë, në asnjë variant. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që Kosova dhe Serbia të avancojnë. E kanë planin e përjetësimit të këtyre marrëveshjeve, të cilat do të ndihmohen edhe me investimin e kapitalit amerikan ose të kompanive të ndryshme”, thekson Tahiri.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në Bruksel që nga viti 2011 për çështje teknike dhe më pas ka vazhduar në nivelin e përfaqësimit të lartë politik, ku janë arritur më shumë se 30 marrëveshje. Një pjesë madhe e këtyre marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht.

Më 21 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si reagim ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, si dhe bllokimin e anëtarësimit të kësaj të fundit në organizata ndërkombëtare.

Autoritetet e Serbisë, kanë refuzuar të vazhdojnë dialogun pa heqjen e kësaj takse dhe që atëherë ky dialog ka mbetur i bllokuar.

SHKARKO APP