Çfarë shkruajnë mediat e huaja për fitoren e LVV-së?
Zgjedhjet në Kosovë janë mbuluar nga shtypi i huaj, përfshirë BBC, Politico dhe Deutsche Welle.
Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura të dielen ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat kanë raportuar për rezultatin zgjedhor dhe për pritshmëritë se ky zhvillim mund të shënojë fundin e ngërçit të gjatë politik që ka paralizuar institucionet e vendit që nga fillimi i vitit 2025.
E përditshmja gjermane Deutsche Welle ka shkruar se subjekti i drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë bindshëm forca e parë, ndonëse mbetet e paqartë nëse do të mund të formojë qeverinë e vetme apo do t’i duhet një koalicion.
Gazeta zvicerane Tages-Anzeiger i ka kushtuar vëmendje të veçantë faktorëve që kanë çuar në fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia atribuar suksesin datës së zgjedhjeve – mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri – periudhë kur shumë kosovarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, përfshirë ata në Gjermani dhe Zvicër, kthehen në Kosovë.
Revista amerikane Politico dhe agjencia franceze France 24 kanë theksuar se rezultati shënon fundin e një ngërçi institucional që ka paralizuar kuvendin dhe ka vonuar marrëveshje të rëndësishme financiare me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore.
Edhe rrjeti britanik BBC e ka cilësuar “dërrmuese” fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, duke vënë në pah se ajo përbën të katërtën radhazi të kësaj force politike në zgjedhje parlamentare dhe i siguron Kurtit një mandat të tretë në krye të qeverisë së Kosovës.
Agjencia prestigjioze Reuters ka raportuar gjithashtu për fitoren bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje, duke cituar Kurtin i cili është zotuar të formojë shpejt një qeveri të re pas rezultateve që i kanë dhënë rreth 50 për qind të votave – pa votat e diasporës.
Ndryshe, mediat e huaja kanë vënë në dukje sfidat që e presin qeverinë e re: normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, riparimin e raporteve me aleatët, si dhe përballjen me vështirësitë ekonomike në një nga vendet më të varfra të Evropës.
KOHA JONË SONDAZH

