Christopher Hill vijon dëshminë në Hagë për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së
Sot, në orën 09:00, diplomati amerikan Christopher Hill, i dërguari i posaçëm i SHBA gjatë luftës në Kosovë, vijon dëshminë e tij në seancën gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Hill ka nisur dëshminë dy ditë më parë, duke rrëfyer se përfshirja e tij në çështjen e Kosovës erdhi si kërkesë e ish-sekretares amerikane Madeline Albright, në maj të vitit 1998.
“E kuptova rolin tim si përpjekje për të ofruar mbështetje politike dhe për të ndihmuar në ndalimin e dhunës në rritje. Qëllimi ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës dhe krijimi i një forme qeverisjeje vendore,” tha Hill.
Hill sqaroi edhe takimin mes Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Millosheviçit, duke theksuar se ishte ide e ambasadorit Richard Holbrooke.
“Takimi ndodhi në Beograd në fund të majit apo fillim të qershorit. Mendoj se e dëmtoi Rugovën, pasi nuk kishte mbështetje të fortë në Kosovë për një takim të tillë,” tha Hill, duke shtuar se Rugova po përjetonte vështirësi në legjitimimin e udhëheqjes së tij”.
Hill kujtoi edhe takimin e tij të parë me Hashim Thaçin, duke e përshkruar si një figurë më të përshtatshme për ambient akademik sesa për atë ushtarak.
“Ai fliste butë, në mënyrë të mendueshme. Nuk më la përshtypjen se e udhëhiqte apo kontrollonte UÇK-në,” tha Hill, duke shtuar se gjatë takimit, pjesëtarët e UÇK-së kishin armë në duar, gjë që ai e kundërshtoi”.
KOHA JONË SONDAZH

