Ja cili është mesazhi i Gjergj Lucës për Vjosa Osmanin në ditën e dorëzimit të detyrës si Presidente e Kosovës

Nga Albert Vataj
Mesazhi që shoqëroi ditën e përcjelljes së Vjosa Osmani nuk ishte thjesht një formulë protokollare e mbylljes së një mandati, por një deklarim i ndërgjegjshëm mbi vazhdimësinë institucionale dhe trashëgiminë politike. “Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, e paprekshme në kufinjtë e saj, e hapur për përtneritete dhe aleanca të vlerave, e pandalshme drejt BE dhe NATO-s, dhe përjetësisht krah per krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që sejcili preasident apo presidente në të ardhmen, ta ruaj dhe ta vazhdojë këtë trashëgimi dhe këtë rrugëtim. Këtë institucion e ndërtoi Presidenti Rugova si institucion të fortë, me integritet e me aleatë. Dhe të tillë, po e lë pas. Sot largohem nga kjo detyrë por assesi nga përkushtimi për atdheun tonë të dashur”, ky ligjërim solemn, kjo fjalë përmbledh jo vetëm një bilanc personal, por një akt besnikërie ndaj vizionit të Ibrahim Rugova, duke e vendosur Presidencën në një vijimësi morale e shtetformuese.

Në këtë kontekst simbolik, reagimi i Gjergj Luca merr një peshë që shkon përtej një përshëndetjeje publike. Ai nuk i referohet thjesht një figure politike në largim, por artikulon një vlerësim që synon të ndërtojë model. “Një mesazh miqësor në ditën e përcjelljes së presidentes Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e Kosovës dhe e shqiptarisë!”, ky formulim ngërthen një dimension emocional dhe identitar, ku figura e Osmanit shndërrohet në simbol të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar.
Luca shpreh se e ka përcjellë me emocion këtë moment të dorëzimit të detyrës, duke e konsideruar jo vetëm si një tranzicion institucional, por si një çast reflektimi mbi përgjegjësinë e lidershipit. Ai e sheh rolin e Osmanit në krye të shtetit, në drejtimin e politikës së jashtme, në raportin me ushtrinë dhe në përfaqësimin e unitetit të popullit, si një përmbushje të denjë të detyrës, ku autoriteti nuk ishte thjesht funksion, por edhe etikë.

Në thelb të mesazhit të tij, Luca ndalet te figura e gruas shqiptare, duke e ngritur Osmanin në një paradigmë frymëzimi për të gjitha gratë në hapësirën shqiptare. Ai thekson thjeshtësinë dhe ndjeshmërinë si virtyte që nuk e zbehin forcën, por përkundrazi e fisnikërojnë atë; përkushtimin dhe vendosmërinë si elemente që ndërtojnë lidership të qëndrueshëm. Në këtë mënyrë, ai e zhvendos diskursin nga individi te modeli, nga rasti konkret te domethënia kolektive.
Figura e Vjosa Osmanit, sipas kësaj qasjeje, nuk mbetet vetëm një kapitull i mbyllur institucional, por një imazh i projektuar në arenën ndërkombëtare si përfaqësim i një shteti që kërkon të afirmohet me integritet dhe qartësi politike. Ajo mishëron një identitet ku forca dhe eleganca bashkëjetojnë, ku autoriteti buron nga përmbajtja dhe jo nga imponimi.
Në fund, mesazhi i Gjergj Lucës nuk është vetëm një përshëndetje për një presidente në largim, por një thirrje për të njohur dhe kultivuar modele të tilla, sepse, në një realitet që shpesh i sfidon vlerat, shembujt e qëndrueshëm mbeten gurë orientues për të ardhmen.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?