Çollaku: Gjatë 2015-ës dorëzojmë raportin për liberalizimin e vizave
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti sot në takim shefen e re të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz Gallucci, të cilën e uroi për detyrën e re dhe e informoi për reformat që po bënë Kosova në drejtim të avancimit të axhendës evropiane.
Duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe përkrahjen që Këshilli i Evropës i ka dhënë Kosovës në shumë fusha përfshirë edhe procesin e integrimit në BE, ministri Çollaku e ka njoftoi se qeveria e Kosovës po bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Integrimeve, Çollaku e informoi edhe me ecurinë e dy prioriteteve të sivjetme përkitazi me agjendën evropiane që janë procesi i liberalizimit të vizave dhe nënshkrimi i MSA-së.
Miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ditë më parë në Kolegjin e Komisionerëve, sipas Çollakut i ka hapur rrugën nënshkrimit të kësaj marrëveshje së shpejti.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ministri Çollaku, ka potencuar se institucionet e Kosovës janë duke punuar për të përmbushur kriteret e fundit teknike lidhur me këtë proces që do të pasohen me dërgimin e raportit përfundimtar në Bruksel gjatë këtij viti.
Kurse, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës, Isabelle Servoz Gallucci, ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen dhe bashkëpunimin konform prioriteteve të Qeverisë së Kosovës./Kosovapress/k.s/