Covid-19/Gjermania e OBSH dhurojnë mbi 2 milionë euro donacion për Kosovën

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë i kanë dhuruar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pajisje dhe produkte mjekësore me vlerë mbi 2 milionë euro. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka falënderuar shtetin gjerman për këtë ndihmë karshi shëndetësisë kosovare dhe shtoi se Kosova e ka menaxhuar mirë situatën me Covid-19.

”Ky donacion përmban shumë pajisje edhe produkte medicinale, vlera e të cilit përfshinë 2.17 milionë euro, e gjithë kjo është në fokus të luftës kundër pandemisë me Covid-19. E kemi thënë edhe herë të tjera dhe po e përsërisim edhe sot se pa këtë ndihmë dhe pa këtë bashkëpunim të mirëfilltë në mes të institucioneve të Kosovës, të partnerëve tanë, të shtetit të Gjermanisë ne nuk do të mund të menaxhonin situatën dhe sot e themi pa modesti se jemi ndër vendet me menaxhimin më të mirë dhe me situatën më të mirë pandemike në rajon por edhe ndër shtetet në Evropë”, tha ai.

Ambasador Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde deklaroi se shteti i tij do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në luftimin e pandemisë. Ai tregoi edhe se çfarë përmban ky donacion duke shtuar se virusi vazhdon të jetë kërcënim për të gjithë. ”Bëhet fjalë për 100 ventilatorë dhe po ashtu edhe për disa oksimetra dhe të tjera pajisje të cilat do të përdoren në luftimin e pandemisë. Ky donacion që e kemi dorëzuar sot është pjesë e një donacioni më të madh i cili është dedikuar për të gjithë Ballkanin Perëndimor për të luftuar Covid-19, dhe në veçanti edhe për të ndihmuar Kosovën”, tha ambasadori gjerman në Kosovë.

SHKARKO APP