“Dajak në vend të ushqimit” dhe hezitimi i drejtësisë, rrëfimi tronditës i një gruaje
Edhe në Shqipëri rastet e dhunës në familje janë të shumta, por rrëfimi i një gruaje nga Kosova të bën të ndihesh si në epokën e skllevër-pronarëve.
“Drejtësia në Kosovë” transmeton rrëfimin tragjik të një gruaje, Hajrie Aliu, viktimë e dhunës në familje, e cila për disa vite ishte rrahur dhe keqtrajtuar nga ish burri i saj Enver Zeka.
“Jam rrahur çdo ditë nga burri. Kur nuk më ka rrah në mbrëmje, më ka rrahë edhe në mëngjes, kur nuk më ka rrahë në mëngjes më ka rrahë në mbrëmje. Në vend të bukës dajak kam hongër”, ka treguar Hajria për “Drejtësia në Kosovë”.
E lodhur nga dhuna e vazhdueshme që burri, Hajria kishte tentuar disa herë t`i japë fund jetës. Hajria kishte tentuar të bëjë vetëvrasje edhe kur kishte qenë gjashtë muaj shtatzënë.
“I kam qitë dy këmbët në rrethin e bunarit dhe kam provu me mbyt veten. Por jam ndal dhe jam kujtua që unë vdes, por më mbetet fëmija i gjallë në bark”, ka treguar ajo.
“Nga “Domestosi” të cilin e kam pirë më është zene fyti dhe sot nuk mundem të ha normal”, ka rrëfyer më tej Hajria.
Ajo thotë se në pamundësi që ta mbajë djalin e saj, pasi nuk ka një shtëpi se ku të jetojë e ka dërguar djalin tek ish burri.
“Djalin e kam cu te burri, s`kam pas mundësi me e mbajt, pa punë, banim nuk kam, qiraja e banesave është e shtrenjtë. Unë kurgjo s`kisha dashtë veç me kon me djalin tem, me pas një banim ku kish amujt me ja bo një kafshore bukë fëmiut tem”.
Më tej ajo ka treguar se as familja e saj nuk e kanë përkrahur dhe sot ajo ka mbetur e vetme në rrugë dhe larg djalit të saj.
“Familja ime as s`kanë dashtë me ndi, nuk më kanë përkrahur asnjëherë”, ka treguar ajo.
Por për ankesat e saj, gjykata e prokuroria nuk ishte marrë seriozisht me trajtimin e këtij rasti. Madje në disa raste gjykata kishte nxjerrë vendime mjaft të çuditshme.
Gjykatësi mbi këtë çështje për një ditë kishte nxjerrë dy vendime. Me të parin burrin e Hajrisë e kishte dënuar me tre muaj burg me kusht, ndërsa në tjetrin kishte shprehur vërejtje gjyqësore, një praktikë e pazakontë në gjyqësorin kosovar.
Gjyqtari dhe prokurori, për të akuzuarin Enver Zeka nuk kishin qenë dijeni se ndaj tij disa muaj më parë e njëjta gjykatë kishte nxjerrë një aktgjykim me të cilin e dënoi me 200 euro gjobë për veprën penale lëndim i lehtë trupor. Më e çuditshme në këtë aktgjykim shkruan se Enver Zeka e kishte rrahur në vazhdimësi gruan e tij dhe në fund i ishte dhene një gjobe prej 200 euro.
Ndaj Enver Zekës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës janë të deponuara 7 kallëzime penale. Në tri raste gjykata ka vendosur dhe dënimet janë: për rrahje dhe lëndim i lehtë ku dënimi sipas ligjit parashihet të jetë 1 deri 5 vite burgim, gjykata e Podujevës shqiptoji dënimin me gjobë prej 200 eurosh; Në rastin e dytë ku vepra ishte sërish lëndim i lehtë truporë dhe dënimi sipas ligjit parashihet 1 deri 5 vite burgim, dënimi është dënim me kusht; dhe në rastin e tretë ku vepra ishte kanosje që sipas ligjit dënimi parashihet të jetë 6 muaj deri 5 vjet burgim, u shqiptua vetëm vërejtje gjyqësore.
Gjyqtari Minir Hoti, thotë se vendimin që në të njëjtën ditë t`i shqiptojë për të njëjtin të akuzuar dy lloje të dënimeve, njërin me kusht e tjetrin me vërejtje gjyqësore e kishte marrë duke u bazuar në ligj.
Prokurori Armend Hamiti i cili kishte përfaqësuar të dy akuzat në gjykatë, ishte pajtuar me dënimet e shqiptuara nga gjyqtari Minir Hoti. Prokuroi në asnjërin rast nuk ishte ankuar për dënimet që iu dhanë të akuzuarit.