Debate për Demarkacionin, Haradinaj: Po lini qytetarët pa viza, marre ju koftë!
Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin. Të pranishëm në seancë janë 93 deputetë.
Për miratimin e këtij Projektligji nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, saktësisht nevojiten së paku 80 vota.
Kryeministri Ramush Haradinaj reagoi ashpër ndaj deputetëve kundër Demarkacionit.
Haradinaj: Pse po u pengojnë gjetjet e Komisionit, marre ju koftë, jeni kundër raportit se tregon se kthehet guri atje. Ku po ju dhemb? Po pranoni deklaratën e dy Presidentëve, vetëm raportin nuk po pranoni. Asnjë germë nuk i hiqet këtij ligji, lini pa liberalizëm qytetarët.
Veseli: Nëse demarkacioni nuk votohet, 90 ditë nuk vjenë në seancë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi se nëse demarkacioni me Malin e Zi nuk kalon me dy të tretat e deputetëve prezent në sallë, Kuvendi i Kosovës nuk mund ta kthej në seancë këtë pikë 90 ditë.
“Po iu njoftoj meqë është e rëndësishme për liberalizimin e vizave, nëse nuk kalon me dy të tretat e kolegëve prezent në sallë, 90 ditë nuk do të ketë të drejtën ta kthej Kuvendi në seancë, domethënë vazhdojmë me avazin e vjetër”, tha ai.
Konjufca: Nëse kalon kjo marrëveshje Kosova humb territor
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca tha se nëse kalon marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit shteti humb territor.
Për Vetëvendosjen më esenciale është territorit sesa liberalizmi i vizave. Sipas Konjufcës është me rëndësi liberalizimi por shtrohet pyetja kush e ka penguar deri më tani e që është ai që e ka nënshkruar gabim.
Konjufca tha se përgjegjësitë duhet t’i marrin ata që kanë nënshkruar e jo opozita.
Një ditë më parë seanca dështoi të mbahet në mungesë të votave të mjaftueshme për ta miratuar marrëveshjen e Demarkacionit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.