Debati për ndarjen e Kosovës krijon konfuzion të madh

Prof. David L. Phillips, i cili së fundi u tërhoq nga pozicioni si këshilltar i qeverisë së Kosovës, për DW flet mbi opcionin e ndryshimit të kufijve dhe stadin në raportet e dialogut Kosovë-Serbi.

Proferos Phillis, kush i merr sot vendimet për Kosovën?

David Phillips: Nuk është e qartë kush është përgjegjës në Kosovë për dialogun me Serbinë. A është presidenti Hashim Thaçi? A ka plane për një ekip të përbashkët ku të marrë pjesë edhe qeveria? Të gjitha këto janë çështje të hapura. Megjithëse unë e kam monitoruar nga afër dialogun, unë nuk e di kush është direkt përgjegjës. Sipas asaj që kam kuptuar unë nga Hashim Thaçi, ai është autoriteti më i lartë.

Kjo pyetje mund t’i drejtohet edhe qeverisë amerikane. Çfarë roli luan qeveria amerikane në këtë dialog. Dhe cilat janë politikat e administratës së Trumpit për çështje të caktuara të dialogut, si për shembull rregullimet e kufirit. Deklaratat e John Bolton-it dhe të tjerëve janë të paqarta. Edhe ato duhen sqaruar.

Kush duhet t’ i sqarojë?

David Phillips: Njerëzit në Kosovë duhet të vendosin për strukturën e negociatave dhe përgjegjësit e tyre. Dhe zyrtarët amerikanë duhet të sqarojnë, cili do të jetë roli i SHBA, dhe cili është qëndrimi amerikan në çështje specifike.

Ju mendoni se këto vendime nuk janë marrë ende? Apo janë marrë dhe mbahen të fshehta?

David Phillips: Nuk e di. Nëse janë vendosur, vendimi nuk është i qartë për mua. Nëse nuk është i qartë për mua, nuk është i qartë edhe për të tjerët. Dhe nëse vendimi është marrë, atëherë është e domosdoshme mbështetja nga shoqëria civice. Prandaj është e rëndësishme të krijohet transparenca dhe qartësia sa i përket roleve dhe përgjegjësisë.

Që nga muaji gusht, gati përditë vijnë lajme të reja për dialogun, e megjithatë është e vështirë për ne të kuptojmë të gjithën çfarë po ndodh. E reja e fundit është që Zonja Mogherini është pro ndarjes së Kosovës. Si mund të ndërmjetësohen bisedimet kur ke qëndrim të njëanshëm?

David Phillips: Askush nuk ka qenë i pranishëm në takimet midis Vuçiqit, Thaçit dhe Mogherinit. Kështu që ne nuk e dimë çfarë diskutojnë ata. Ne nuk mund të themi që Mogherini është duke punuar me një plan për ndarjen, sepse ajo nuk e ka thënë këtë. Ajo që duhet arritur është më shumë transparencë dhe qasje më e madhe, kështu që popullsia që preket direkt nga bisedime të informohet më mirë.

Tani në lojë duket se është futur edhe presidenti francez, Macron. Çfarë do të thotë kjo?

David Phillips: Duket se Franca është më e hapur për korrigjim kufijsh, se sa anëtarët e tjerë të pesçes. Por, ne nuk e dimë tamam. Edhe Macron duhet të bëjë deklaratë të qartë për këtë gjë. Në fakt, të gjithë anëtarët e pesçes duhet të qartësojnë çfarë presin prej bisedimeve, dhe cilat janë qëndrimet e tyre. Pesçja është Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, dhe Shtetet e Bashkuara.

Herën e fundit që kemi folur për Kosovën ishte në muajn gusht kur u dëgjuan idetë e para për ndryshime kufijsh, territoresh, korrigjimesh, etj. Në atë kohë kërkush nuk bëri deklaratë të qartë. Tani, tre muaj më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar. A duhet ta kuptojmë këtë si një strategji? Apo, duhet të përdorim teoritë e konspiracionit për të kuptuar më shumë?

David Phillips: Ekziston edhe një tjetër mundësi e tretë, që të mos jetë marrë asnjë vendim. Nuk ekziston ndonjë detaj për këto idera. Nuk ka asnjë dosje. Ka më shumë mundësi që kjo të jetë më e vërtetë, se sa dy skenarët që përmendët ju. „Është diskutuar”, është një formulim shumë i paqartë, që nuk ka të bëjë me ndonjë politikë apo marrëveshje të caktuar. Unë kam pyetur për ndonjë dokument, që të flasë për detajet dhe mua më është thënë se nuk ekziston ndonjë dokument i tillë. Ndoshta ekziston dhe nuk mu dha mua. Mbase ajo që dëgjojmë është që secili thotë atë që i vjen në mendje.

Kjo situatë e paqartë ju bëri ju të merrni vendimin që të hiqni dorë nga këshillimi i qeverisë së Kosovës në çështjet e dialogut?

David Phillips: Unë i dorëzova dorëheqjen qeverisë së Kosovës. Qeveria nuk ka kthyer ende përgjigje. Por unë nuk mund të marrë pjesë në negociata që punojnë për ndarjen e vendit. Unë nuk mendoj se kjo është një strategji efektive. Dhe nuk mendoj se Kosova mund të arrijë synimet e saj, njohjen nga Serbia, njohjen nga pesë vendet europiane, që nuk e kanë njohur ende, dhe heqjen dorë nga Rusia dhe Kina prej vetos në Këshillin e Sigurimit. Rregullimi kufitar për mua është një ide që nuk sjell normalizimin e dëshiruar të marrëdhënieve.

Ju sapo keni shkruar një artikull që ofron si alternativë ndaj ndarjes, decentralizimin. Problemi që ka Kosova nuk është problem i të drejtave të njeriut, është problem i statusit.

David Phillips: Problemi i Kosovës është Serbia. Serbia refuzon të pranojë që e ka humbur Kosovën, që Kosova është e pavarur dhe sovrane. Kosova nuk do të kthehet më kurrë nën kontrollin e Serbisë. Serbia është duke bllokuar gjithçka. Serbia është duke e penguar Kosovën në përpjekjet që të marrë njohje më të madhe në botë. Dhe sa kohë që Serbia vazhdon të pengojë, do mbetet vetë jashtë BE-së. Sepse kapitulli 35, kërkon normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, para se Serbia të përparojë me kandidaturën e saj për tu pranuar në BE.

Serbia është fqinji ynë. Dhe unë e kuptoj që BE dëshiron ta ketë edhe Serbinë në gjirin e saj. Dhe për këtë duhen bërë mbase edhe disa kompromise. Ka ky kompromisi të bëjë me marrjen e një pjese të Kosovës? Kjo është ajo çfarë është duke kërkuar Serbia? Po kërkon të marrë një pjesë të Kosovës që t’i thotë “Po” futjes në BE?

David Phillips: Politika zyrtare e Serbisë kundrejt Kosovës, e shikon Kosovën si provincë të Serbisë. Serbia nuk e pranon realitetin. Ne nuk e dimë nga ka ardhur kjo ideja për ndryshim kufijsh. Ka ardhur nga Beogradi, nga Prishtina, nga Tirana? Kush e mbështet këtë ide? Ne nuk e dimë. Ne nuk dimë as nëse Vuçiq e përkrah këtë ide. Ne dimë se pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës, përfshirë priftin Sava, e kanë refuzuar. Sepse ndryshimi i kufijve do të margjinalizonte serbët e Kosovës dhe do të çonte në lëvizje masive të popullsisë, mund të shkaktonte dhunë dhe dëme për serbët e Kosovës. Nuk e dimë kush e mbështet këtë ide. I vetmi njeri që ne dimë se e mbështet këtë ide është Hashim Thaçi.

Disa gazeta kanë shkruar se ideja është bërë publike pas një takimi të Dacicit me Jared Kushner…

David Phillips: Askush nuk ka qenë prezent në takimin e Kushnerit me Dacicin dhe Brnabiçin. Ne nuk e dimë çfarë kanë diskutuar ata. Ajo që dimë ne është se Dacic bëri një deklaratë pas takimit se „të gjitha obsionet janë të hapura”. Ndarja e Kosovës ka qenë gjithnjë në tavolinë. Ideja e ndarjes së Kosovës e ka origjinën tek Dobrica Ćosić dhe Akademia serbe e shkencave sociale. Vuk Drašković e mbështeti idenë kur ishte ministër i Jashtëm. Ne nuk e dimë nëse ky tai është një propozim real, apo është ideja e vjetër që riqarkullon sërish.

Po çfarë kërkon Serbia atëherë?

David Phillips: Serbia është duke kërkuar territorin në veri të Kosovës, kompesime për investime dhe pasuri në Kosovë, mbrojtje të veçantë për minoritetet dhe kulturën ortodokse. Unë nuk kam parë ndonjë dokument të shkruar nga Serbia, ku të propozohet kjo. Unë kam parë vetëm disa shënime për takime të bëra, por gjërat janë të paqarta. Çfarë merr Kosova si shpërblim për të dhënë 20 përqind të vendit? Njohjen nga Serbia? A do bënte Serbia ndryshimet kushtetuese për të mundësuar njohjen e Kosovës? A mund të sjellë njohjen nga vendet e BE, që nuk e kanë njohur? Edhe njohjen e Spanjës, që është problematike? Moska nuk merr urdhëra nga Beogradi. Çfarë do të ndodhë me Këshillin e Sigurimit? Nuk e dimë. Ajo që di unë është se negociatat nuk mund të bazohen tek ëndërrat. Negociatat duhet të bazohen tek realitetet. Ato duhet të mundësohen nga mediatorë ndërkombëtarë, duhen monitoruar për zbatimin, përfshirë masat që merren për t’i prerë rrugën ankesave të palës tjetër. Mua nuk më duket, që dialogu Kosovë-Serbi po ndjek këto rregulla.

Do të thotë kjo që Kosova është sot, si një ditë pas ditës së pavarësisë?

David Phillips: Debati për ndarje shkakton në Kosovë konfuzion të madh. Asnjë vend tjetër plus nuk do e njohë Kosovën, sa kohë që ky diskutim nuk ka marrë fund. Kosova ka punë përpara punë serioze: të përmirësojë shërbimet e qeverisjes, përfshirë luftimin e korrupsionit. Debati për ndarjen është largim nga punët e qeverisjes. Kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Kanë kaluar shumë vite dhe Kosova duhet të integrohet plotësisht në sistemin ndërkombëtar. Duhet të bëhet pjesë e institucioneve euro-atlantike, përfshirë Interpolin. Duhet të ketë liberalizimin e vizave.

 Kosova është duke krijuar ushtrinë. A mund të bëhet Kosova pjesë e NATO-s pa pasur statusin?

David Phillips: Sigurisht që Kosova duhet të ketë ushtrinë kombëtare. Ushtria kombëtare është për sigurimin e kufijve dhe mbrojtjen nga agresionet e mundshme. Serbia ka blerë armë të sofistikuara nga Rusia, përfshirë aeroplanë sulmues MIG. Rusia ka krijuar një bazë spiunazhi në Nish. Kosova ka nevojë të jetë në gjendje të mbrojë veten dhe të mbrojë sovranitetin e saj. Këshilli i Atlantikut Verior duhet të veprojë nëpërmjet programit PfP, dhe të përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në NATO. NATO nuk është vetëm aleancë për çështjet e sigurisë. NATO është koalicion i vendeve që ndajnë të njëjtat vlera. Kosova duhet të forcojë përpjekjet për demokraci dhe angazhimin për të drejtat e njeriut, nëse kërkon të lidhet më fort me NATO-n.

David L. Phillips është drejtor i programit për krijimin e paqes dhe të drejtat në Institutin për të drejtat e njeriut të Universitetit Columbia në Nju Jork. Prof. Phillips ka 30 vjet që punon për pavarësinë e Kosovës, kur ka qenë zyrtar i qeverisë amerikane në Capitoll Hill, kur ka qenë në grupe pune si ai i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe si studiues në Universitetin Columbia.

SHKARKO APP