Del nga spitali Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila me 3 ditë më parë i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e tëmthit në një spital privat, tashmë ka dalë nga spitali.

 

Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani. “Presidentja Osmani me rekomandimin e mjekëve, sonte është liruar nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, ka thënë Kupina mbrëmjen e të premtes.

Sipas Kupinës, presidentja Osmani, po e vazhdon terapinë në banesën e saj prej ku po i kryen detyrat dhe përgjegjësitë e presidentes. Më 3 nëntor Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se Osmani ka kryer një nderhyrje kirurgjikale për heqjen e tëmthit dhe të enjten i kthehet ushtrimit të funksionit.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike.”, thuhej në njoftim.

SHKARKO APP