Demarkacioni me Malin e Zi nuk do të procedohet as këtë javë në Kuvend

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk do të procedohet as këtë javë në Kuvendin e Kosovës, pasi partnerët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme se si duhet menaxhuar ky proces.

Qeveria e Kosovës as të mërkurën nuk do ta procedojë për në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Qeveria me kërkesë të kryeministrit e ka anuluar mbajtjen e mbledhjes për të mërkurën, në të cilën pritej të merrej vendimi për ta dërguar në Kuvend Marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Ky anulim ka ndodhur pas kërkesës së partnerit të madh të koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkon nga Qeveria që të mos ngutet me procedimin e kësaj çështjeje. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë se kjo çështje është e ndjeshme dhe se shkon përtej interesave partiake, prandaj ai thotë dhe se Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme dhe t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë për këtë çështje dhe pastaj ta dërgojë për ratifikim në Kuvend.

Sipas mediave kryeministri Mustafa, i cili drejton LDK-në, është i interesuar që sa më shpejt të vihet për votim demarkacioni, por për këtë nuk e gëzon mbështetjen e partnerit kryesor në koalicion, PDK-së. Sipas tij, kryeparlamentari dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka arritur ti qetësojë raportet me një pjesë të opozitës. Prandaj, sipas këtij burimi, ai ka për qëllim që kur të vihet në rend dite demarkacioni të evitojë skenat me gaz lotsjellës, të ndodhura në seancat plenare gjatë fundvitit të shkuar dhe në këtë vit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar ditët e fundit se demarkacioni në Kuvend do të procedohet ashtu siç është parashikuar, duke mos përmendur ndonjë datë të caktuar. Lidhur me kërkesat e Bashkimit Evropian që demarkacioni të procedohet para pushimeve, ai tha se do të punojnë ashtu siç ka kërkuar BE. Ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar të gjitha partitë politike që të miratojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. “Me të drejtë jemi duke pritur vendimin për liberalizimin e vizave. Bashkimi Evropian është gati për këtë vendim historik për shtetin e Kosovës. Kriteri i mbetur, ai për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi duhet të plotësohet nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në ditët e ardhshme”, është shprehur Thaçi. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu dyshon se kriteri i vënë nga Bashkimi Evropian që Kosova duhet të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi para se të hiqen vizat, është kërkesë e krerëve të shtetit dhe jo kusht i drejtpërdrejt i BE-së. Komisioni shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror, është emëruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me mandatin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare.

Marrëveshja ndërkombëtare është pakoja Ahtisari 2007. Kjo vijë kufitare sipas Pakos së Ahtisarit dhe në bazë të deklaratës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974 dhe me të gjitha dokumentet tjera relevante.

Dokumentacioni i përdorur nga Komisioni është i bazuar në kufirin e Kosovës dhe në harta kadastrale nga vitet 1974, 1988 dhe 2015. Në hartat topografike të viteve 1963, 1987, si dhe hartat topografike të KFOR-it nga qershori i vitit 1999. Në atlase të ndryshme tematike, harta historike të periudhave të ndryshme deri në ditët e sotme.

Për demarkacionin me Malin e Zi janë trajtuar dokumentet, shkresat, foto-skicat dhe koordinatat nga matjete viteve 1931/32, 1974, 1988 dhe 2015, prej të cilave janë përpiluar dhe janë duke u përditësuar hartat kadastrale për vijën kufitare me Malin e Zi.

SHKARKO APP