Dendias: Greqia mbështet Kosovën në liberalizimin e vizave dhe integrimin europian
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias cili ndodhet në Kosovë në një vizitë zyrtare, ka deklaruar se Greqia mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, Dendias ka theksuar se vizita e tij në Prishtinë, është në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë, sidomos ato ekonomike dhe tregtare.
Edhe pse ministri i jashtëm grek nuk ka përmendur njohjen e Kosovës nga Greqia, ai tha se vendi i tij mbështet vazhdimësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe duhet që vendet të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme.
Nga ana tjetër ministrja Gërvalla tha se Pavarësia e Kosovës është një fakt, dhe Greqia duhet ta pranojë këtë sa më parë.
“Pavarësia e Kosovës është fakt dhe sa më parë të pranohet kjo, aq më mirë, por duke pasur parasysh faktin që Greqia e sheh ndryshe, do të punojmë në këtë drejtim”, është shprehur Gërvalla.
Kryediplomatja njoftoi se Kosova dhe Greqia ranë dakord që zyra e Kosovës në Athinë të shndërrohet nga një zyrë e thjeshtë në një zyrë politike.
Greqia nuk ka njohur ende pavarësinë e Kosovës ndërsa Athina ka paralajmëruar më herët se një gjë e tillë do të ndodhë kur të ketë një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.