Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit. Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.

Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur. Mbledhja e Kryesisë u thirr nga Basha – i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive pa nënkryetarin serb – për t’u konsultuar rreth vazhdimit të punës së institucionit. “Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti Basha të hënën. Në tri vazhdime të seancës konstituive, kandidatët serbë për nënkryetar dështuan të sigurojnë votat e nevojshme.

Basha e shpalli të mbyllur seancën, me arsyetimin se janë shteruar të gjitha mundësitë. Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e mbështeti, ndërsa ish-opozita kundërshtoi. Duke folur pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha tha se është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, por nuk dha shumë detaje. Kuvendi i Republikës së Kosovës publikoi më herët një njoftim, ku thuhej se Basha e ka informuar presidenten për përfundimin e seancës konstituive dhe se të dy kanë diskutuar mbi hapat e mëtejshëm institucionalë, por e tërhoqi pak minuta më vonë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Basha tha se stafi ka bërë gabim dhe ka shkruar një komunikatë pa miratimin e tij. “Presidentja nuk ka dhënë mendim. Ajo vetëm se ka dëgjuar arsyetimin tim [për seancën konstituive”, tha Basha për gazetarët. Në një komunikatë dërguar mediave pas takimit, Osmani tha se e ka informuar Bashën se “ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”. Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e plotë të Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit. Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator. /REL/

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?