Dështon raundi i parë, Hashim Thaçi nuk merr votat për President

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme në raundin e parë të votimit për t’u zgjedhur President i Kosovës.

Në votimin e parë kanë marrë pjesë 81 deputetë, për Hashim Thaçin kanë votuar 50 veta, 27 vota janë shpallur të pavlefshme, kurse katër vota ka marrë kandidati tjetër Rafet Rama.

Tani kalohet kalohet në raundin e dytë të votimit.

Edhe këtu Thaçit i nevojiten 2/3 e votave në Kuvend, ose 80 vota e më shumë.

Kushtetuta e Kosovës për Zgjedhjen e Presidentit

Neni 85 [Kualifikimi për Zgjedhjen e Presidentit]

President i Republikës së Kosovës mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës, i cili e ka mbushur moshën tridhjetë e pesë (35) vjeçare.

Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.
4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Neni 87 [Mandati dhe Betimi]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Teksti i betimit rregullohet me ligjin.
2. Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet.
3. Pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjedhet vetëm edhe një herë.

Neni 88 [Papajtueshmëria]

1. Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik.
2. Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Neni 89 [Imuniteti]

Presidenti i Republikës së Kosovës gëzon imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet brenda fushëveprimit të përgjegjësive të Presidentit të Republikës së Kosovës.

SHKARKO APP