Dialogu Kosovë-Serbi, java e ardhshme vendimtare

Para takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel më 15 qershor, analisti politik, Naim Rashiti për DW flet mbi shanset që mund të krijohen në raundin e ri, por edhe rreziqet që paraqet për Kosovën shtyrja e vazhdueshme e dialogut.

DW. Z. Rashiti, si e shihni dinamikën e re në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët aktualisht kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe me pozicione mjaft larg?

Naim Rashiti: Dallimet në qëndrime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dihen. Por e reja e këtij procesi është se kemi një qeveri të re dhe një subjekt politik që tash qeveris dhe i cili në parim ka kundërshtuar proceset politike rreth dialogut me Serbinë, dhe po futet në këtë proces si qeveri e re dhe këtu janë dallimet e mëdha nga e kaluara dhe në veçanti dallimet nga pritjet e procesit. Prandaj javën e ardhshme do të shohim se çfarë dinamike e re do të rivendoset në procesin e dialogut, me çfarë termash do të fillojnë takimet e nivelit të lartë dhe çfarë kornize, qoftë kohore apo edhe materiale në përmbajtje, do të përcaktohen e të shtyhen përpara liderët.

DW: Kryeministri Kurti ka thënë se takimin me Vuçiç nuk është vazhdim i dialogut, por takim për të ardhmen e dialogut. Si e shihni Ju këtë deklaratë të Kurtit?

Naim Rashiti: Çdo qeveri e ka ridefinuar në një farë forme kornizën, palët e ridefinojnë, por esenca është që a do të ketë pajtim. Edhe qeveria e shkuar Hoti ka rivendosur një kornizë, fillimisht me Samitin e Parisit dhe me presidentin e Serbisë dhe fazat nëpër të cilat ka kaluar procesi nga kryeministri Mustafa, sidomos nga presidenti Thaçi ka pasur një material në vetvete, pra një mirëkuptim ndërmjet palëve se në cilin aspekt po shkojmë. Pra BE-ja i ka edhe temat e kaluara, edhe temat e reja edhe agjendën e hapur për tema çfarë palët pajtohen për dialog të mëtutjeshëm. Pra do të mund të ketë ndërhyrje në kornizë, por BE-ja do të kërkojë vazhdimësinë e asaj dhe të marrëveshjeve të kaluara që do të jenë në tavolinë.

DW: Pala kosovare ka kërkuar përfshirjen e drejtpërdrejt amerikane në dialog. Palmer tha, se SHBA është hisedarë në dialog, por ndërmjetësimin e lë në duart e BE-së?

Naim Rashiti: Po, është një qëndrim i ri pas shumë viteve që SHBA-ja do të qëndrojë prapa proceseve të Brukselit, fuqishëm në mbështetje të dialogut dhe njëkohësisht duke punuar në mënyrë bilaterale me Kosovën dhe Serbinë dhe të ruaj marrëdhëniet e mira me Kosovën. Në fund të fundit ka një logjikë, SHBA-ja nuk është ndërmjetësuese në dialog por vetëm mbështetëse, sepse, partneri yt strategjik nuk duhet të jetë ndërmjetësues, por duhet të jetë mbështetës. E dyta, ky proces nëse duhet të shkojë drejt mbylljes duhet të ketë legjitimitetin e BE-së, për të siguruar njohjen e vendeve anëtare dhe për ta kthyer rezolutën në OKB për ta përmbyllur procesin. Dhe ndërkohë, administrata Biden, nuk dëshiron që të bëjë diçka ngjashëm si ka ndodhur në të kaluarën në procesin me Richard Grenell.

DW: Instituti Juaj në një farë forme ka ndërmjetësuar apo është ndërmjetësues ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe gjetjes së grupit të ekspertëve apo këshilltarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, çfarë është ky projekt?

Naim Rashiti: Ky është një ndër komponentët e institutit tonë Grupi për Ballkanin, i themeluar më herët dhe i materializuar vitin e kaluar, sepse natyrisht është dashur bashkëfinancim, dhe koordinim me qeverinë e Kosovës. Pra kjo gamë, këto komponentë të mbeten të gatshme për qeverinë për të angazhuar ekspertë të fushave të ndryshme në mbështetje të përgatitjes së qeverisë për dialog.

DW: Kemi parë disa dokumente, që u publikuan në medie, disa koncept-ide apo strategji, që në gjuhën mediale u njohën si non-paper ku u fol rreth ndryshimit të kufijve në Ballkan. Askush nuk po e merr përgjegjësinë e autorësisë. Si i keni parë Ju, propozimet në ato dokumente për ndryshim kufijsh?

Naim Rashiti: Non-paper-at përdoren shumë nga diplomacitë e ndryshme pra janë të përdorshme nga diplomacitë, sepse ka të natyrave të ndryshme, kështu që nuk duhet të brengosemi nga non-paper-at. Këto dokumente çfarë i kemi parë kohët e fundit që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve, por kanë të bëjnë edhe me shtyrjen e agjendave të Bashkimit Evropian.

Pra viteve të fundit kemi non-paper nga shumë aktorë, austriak, hungarez, francez, gjerman që duan ta shtyjnë BE-në drejt vendimmarrjes për Ballkanin Perëndimor dhe këto non-paper janë instrument i tyre për të mobilizuar mbështetjen brenda BE-së. Tash këto dokumentat e tjera që kanë dalë për ndryshime kufijsh, është vështirë ta themi saktë se nga vijnë dhe ka shumë dyshime, ka shumë versione. Ka dyshime që ka involvime përtej Ballkanit Perëndimor, sidomos përmes Bosnjës, Republikës Srpska, dhe Rusisë. Sidoqoftë, koncept-dokumente të tilla do të shohim vazhdimisht derisa çështja e dialogut Kosovë-Serbi nuk zgjidhet, deri sa çështja e Bosnjes nuk zgjidhet.

Nuk mund Ballkani Perëndimor të jetojë me këtë status-quo dhe do të ketë presione të mëdha për të kërkuar zgjidhje në favor të secilit varësisht nga ai ku buron qëllimi dhe natyrisht shembull një prej qëllimeve madhore të Rusisë është që ta pengojë zgjidhjen për Bosnjen dhe ta ruaj ndikimin në Serbi dhe ta zgjerojë ndikimin në Republikën Srpska. Pra realiteti është që çështja e Bosnjës të mbetet e hapur, dhe nëse ndodh ndryshimi i kufijve të ndodhë nga Bosnja, pastaj do të jetë çështja e hapur dhe ka zëra në Ballkanin Perëndimor që e duan hapjen e kufijve në Ballkan dhe kjo për fajin edhe të BE-së që nuk gjen zgjidhje për Ballkanin. Jam i bindur që bllokada ndaj Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë, hapja e negociatave me Shqipërinë do të mbetet peng, dialogu Kosovë-Serbi do të mbajë peng çështjen e liberalizimit të vizave dhe mbështetjen e BE-së për Kosovën.

DW: Cila është zgjidhja për Kosovën pa ndryshim kufijsh dhe pa ndryshim kushtetutash?

Naim Rashiti: Shiko problemi kryesor i Kosovës dhe Bosnjes është që kanë kaluar 20-25 vite dhe jemi në status-quon e ngjashme. Jo që Kosova si shtet është në gjendjen e para 20 viteve, por në raport me zgjidhjen e konflikteve, pra konflikti nuk është zgjidhur. Konflikti ndërkombëtarisht është një nocion i konfliktit të ngrirë, një status-quo dhe ky është rreziku, që Kosova dhe Bosnja mbeten në situata të pazgjidhura dhe nuk duhet të lejohet që të mbetet Kosova në situatë të pazgjidhur. Dhe përderisa të zgjasë kjo situatë e pazgjidhur do të kemi ide të ndryshme dhe koncept-dokumente të ndryshme dhe kështu me radhë. Sa më shumë po shtyhet dialogu, aq më i vështirë po bëhet procesi i dialogut që çon Kosovën drejt anëtarësimit në OKB. Sepse në këtë moment, po qe se e merr edhe njohjen e Serbisë, do të jetë e pamundur të kalojë në Këshillin e Sigurimit për shkak të Rusisë dhe Kinës. Mirë do të kishte qenë të merret njohja nga Serbia, megjithatë fakti që Rusia dhe Kina bllokojnë Kosovën, i ka dhënë Serbisë mundësi të manipulojë me këtë proces, pra të maksimizojë kërkesat e saj dhe në këtë situatë Kosova duhet o të hyjë në dialog për një kompromis, herët a vonë, o të gjej zgjidhje që çojnë drejt njohjes nga Serbia duke mos hyrë në kompromise të mëdha, qoftë kushtetuese, sepse territoriale nuk ka konsensus në Kosovë. Pra Kosova duhet të gjej një zgjidhje të hapit të parë drejt hapit final, së paku ta mobilizojë spektrin ndërkombëtar aty ku është e mundur të gjendet zgjidhja dhe zgjidhja momentale që është duke u zhvilluar është zgjidhja në kuadër të BE-së që të gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse për normalizim të plotë.

/DW/

SHKARKO APP