Dialogu me Serbinë, nën udhëheqjen e MPJD-së

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të udhëheqë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kështu bëri të ditur MPJD-ja, pas një takimi të udhëheqësit të kësaj ministrie, Glauk Konjufca, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë.

Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensenin se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, u tha në njoftim.

Swiss Digital Mobile Reklama

Konjufca, i cili njëherësh është zëvendëskryeministri i parë, tha se Kosova mbetet “e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Konjufca do të jetë bartës i këtij procesi, që ka nisur më 2011. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MPJD-së për të kuptuar nëse Konjufca do të jetë në krye të procesit dhe është në pritje të përgjigjes.

Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.

Përgjatë vitesh të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

Më 2023, palët arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, por BE-ja ka thënë se ajo ende nuk është zbatuar.

Ndonëse marrëveshja nuk është nënshkruar, sipas bllokut evropian, ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar./REL

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?