Diplomatët kërkojnë shmangien e problemeve të shfaqura në zgjedhjet në veriun e Kosovës

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, bënë thirrje të hënën për zgjidhjen e problemeve që janë rishfaqur në zgjedhjet e së dielës për kryetarët e komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët të pesë ambasadave euro-perëndimore vlerësohet fakti se dita e zgjedhjeve “duket se ka kaluar në një atmosferë të qetë”.

Megjithatë, ato rikujtuan gjetjet e misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të vitit 2017, në të cilat janë shfaqur “shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Serbe. Këto defekte, si dhe kërkesat për të përditësuar listat e votuesve dhe për të qartësuar procedurat, mbeten të pazgjidhura dhe si rezultat i tyre është konkurrenca dhe pjesëmarrja e kufizuar politike, prandaj ngritin pikëpyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”.

Ambasadat u bëjnë thirrje të gjitha palëve përfshirë institucionet dhe partitë politike, që të merren urgjentisht me këto defekte duke zbatuar rekomandimet e misionit vëzhgues të BE-së.

Inkurajojmë qytetarët dhe shoqërinë civile që t’i mbajnë partitë përgjegjëse për përkushtimin që ato kanë shprehur përmes deklaratës së përbashkët në parlamentin e Kosovës në prill të vitit 2019 për forcimin e procesit zgjedhor. Ata që janë zgjedhur tani duhet të angazhohen për të përfaqësuar interesat e gjitha bashkësive në komunat e tyre”, thuhet në deklaratë.

Të dielën, u mbajtën zgjedhjet për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviçit e Zveçanit. Në të katër komunat fituese doli Lista serbe e cila u përball me kandidatët e Partisë Demokratike dhe lëvizjes Vetëvendosje.

Të katër komunat, janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar, kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe./VOA/

SHKARKO APP