Diplomatja e Kosovës në Ankara bën propagandë për Erdoganin

Nga Enver Robelli

Zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Gülşen Bölükbaşi, shpërndan në Facebook intervistën e ambasadores turke në Prishtinë, ndërsa injoron prononcimet e shtetit kosovar, prej të cilit merr rrogën.

Ambasadorja turke në Republikën e Kosovës, Kıvılcım Kılıç, i ka dhënë një intervistë gazetës «Koha Ditore», ku ajo shpjegon qëndrimin zyrtar të shtetit turk ndaj përpjekjes për puç në Republikën e Turqisë para gati dy javësh. Me ton të ashpër dhe të ngjashëm me presidentin Rexhep Taip Erdoan dhe përkrahësit e tij edhe ambasadorja Kılıç është e bindur se pas tentimit për puç qëndron «organizata terroriste» e klerikut Fethullah Gülen. Përfaqësuesja turke në Prishtinë po ashtu ka mbrojtur masat kundër gjyqtarëve, prokurorëve, gazetarëve, ushtarakëve dhe personelit arsimor. Sipas njoftimeve të deritanishme të mediumeve perëndimore rreth 60 mijë shërbyes civilë janë larguar, suspenduar apo arrestuar nga qeveria turke nën akuzën apo dyshimin se kanë qenë pjesë e rrjetit që organizoi puçin. Mes të arrestuarve janë edhe dhjetëra gazetarë. Organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë protestuar kundër represionit në rritje nga ana e qeverisë turke.

Qeveria e Kosovës e ka dënuar përpjekjen për puç në Turqi, por ashtu si shumica e shteteve perëndimore është rezervuar nga komentet euforike apo miratimi i masave që po ndërmerren në Turqi kundër çdo kritiku të regjimit të Erdoanit. Por duket se një mendim tjetër në lidhje me puçin në Turqi e ka zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), Gülşen Bölükbaşi. Ajo të enjten është kyçur drejtpërdrejt në propagandimin e versionit zyrtar të Ankarasë në lidhje me mësymjen për puç: në profilin e saj në Facebook Bölükbaşi e ka shpërndarë intervistën e ambasadores Kıvılcım Kılıç – dhe atë nga profili i Ambasadës së Turqisë në Facebook.

Diplomatja kosovare Bölükbaşi, ndërkaq, nuk ka shpërndarë asnjë qëndrim të Ministrisë së Jashtme të Kosovës në lidhje me zhvillimet e fundit në Turqi dhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë. Raste për këtë ka pasur plot. Për shembull ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i ka dhënë një intervistë Radios Europa e Lirë pas një note verbale të Ambasadës së Turqisë, ku Kosova trajtohej si vilajet osman dhe kërkohej të ndërmerreshin masa kundër gazetarit Berat Buzhala pas një shënimi satirik të këtij të fundit në profilin e tij në Facebook. Në lidhje me këtë aferë mediale dhe diplomatike është prononcuar edhe zëvendësministri i Jashtëm, Valon Murtezaj, por as qëndrimin e tij nuk e ka parë të udhës ta shpërndajë diplomatja Gülşen Bölükbaşi, ndonëse ajo merr rrogë nga shteti i Kosovës.

Ndonëse është pjesëtare e pakicës turke në Kosovë, si diplomate Bölükbaşi është e obliguar të jetë lojale ndaj shtetit që e ka dërguar në Turqi. Duket se nga ana e Ministrisë së Jashtme të Kosovës ajo gëzon një trajtim të privilegjuar, sepse, sipas burimeve nga MPJ e Kosovës, Bölükbaşi ka marrë tri herë poste diplomatike në Turqi – dy herë në Ankara, njëherë në Stamboll – një praktikë kjo e pazakonshme. Privilegje të tilla gëzojnë edhe diplomatë që kanë «origjinën e duhur» rajonale dhe janë shquar për militantizëm agresiv në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila sillet si pronare e shtetit ngjashëm me partinë AKP të Erdoanit.

Mandatet e diplomates Bölükbaşi në Turqi janë vazhduar nga MPJ përkundër faktit se eprorët e saj u kanë bërë apel drejtuesve të MPJ-së në Prishtinë që ajo të kthehet në selinë e MPJ-së në Prishtinë. Në mesin e stafit të MPJ-së ka disa diplomatë që janë pjesëtarë të pakicave në Kosovë dhe shumica e tyre shquhen për zell në punë dhe lojalitet ndaj shtetit të Kosovës. Duket se ky nuk është rasti me diplomaten Bölükbaşi. Kundër punës së saj ka pasur ankesa në rrugë joformale edhe nga shqiptarët në Turqi

SHKARKO APP