Diskriminimi në praktikë

Nga Sevdail Hyseni

 Në Bujanoc: Pas 38 vjet maltretimesh, legalizohet shtëpia e Shaip Durakut dhe vëllezërve të tij

Vitet e 80-ta për shqiptarët e Luginës së Preshevës, e posaçërisht për ata të Komunës së Bujanocit, ishin të vështira, të rënda dhe të padurueshme.

Me një Vendim të atëhershëm komunist të Komunës së Bujanocit, i ndalohej shqiptarit të blej shtëpi prej serbit, por jo edhe serbit prej shqiptarit.

Po qe se ndodhte të blej shqiptari shtëpi prej fqinjit të tij serb, sipas atij vendimi të njëanshëm, të pushtetit të atëhershëm komunist, nuk i lejohej bartja e pasurisë në emrin e tij.

Te serbët e Komunës së Bujanocit, të motivuar nga pushteti monist, u krijua një klimë e patriotizmit ish jugosllav, që pasuritë e tyre të mos ia shitnin shqiptarëve, por pushtetit lokal me një çmim të volitshëm.

Këto masa diskriminuese goditën familjen e Shaip Durakut, një punëtor arsimor në Shkollën Fillore “25 Maji”, tani “Naim Frashëri”, i cili me vëllezërit e tij, duke mos respektuar ligjet fashizoide të ish regjimit të atëhershme në Bujanoc, bleu shtëpinë e një serbi, si dhe lidhi me të kontratë për shit-blerje me pëlqimin e të dy palëve.

Revanshizmi primitiv

Kontrata mes shitësit serb dhe blerësit shqiptar u firmos, në vitin 1981, kur në Kosovë plasën demonstrata e para të pranverës studentore, të cilat u reflektuan edhe në Komunën e Bujanocit.

Ky ishte edhe një argument më i fortë i pushtetit të atëhershëm serb në Bujanoc, të revanshohej ndaj shqiptarëve edhe me ligje të tjera diskriminuese, hakmarrëse dhe denigruese.

Procedura e bartjes së pasurisë private të serbit Urosh Jovanoviq, te blerësi Shaip Duraku, hasi në gozhdë, tek pushteti komunist i Bujanocit. Ata i kërkonin Shaip Durakut, burimin e prejardhjes së parave të siguruara për blerjen e shtëpisë së fqinjit të tij serb, ndonëse, ai, së bashku me vëllezërit u solli vërtetimet e parave të huazuara në formë deklarate nga dajallarët: Haki, Zijadin e Ilmi Qerimi.

Po kjo nuk ishte pretekst për pushtetarët serbë, por veprimi i tyre anticivilizues për ta penguar realizimin e kontratës së shitblerjes së pasurisë në mes serbit dhe shqiptarit, në një anë dhe anës tjetër, ajo që i iritonte shumë ishte se shtëpia ndodhej shumë afër godinës së Komunës së Bujanocit dhe kjo e pengonte regjimin e Rangjel Velkoviqit, të njohur si Rasha, satrapi i qytetarëve shqiptarë të kësaj komune.

Pavarësisht nga pengesat administrative familja e Shaip Durakut vendoset në shtëpinë e blerë, së cilës i mungonte pullazi dhe kyçja e ujësjellësit dhe kanalizimit, ndonëse shtëpia e Urosh Jovanoviqit, posedonte një Vendim urbanistik me nr. 3971/1981, për legalizim.

Në periudhën prej viteve 83/87, familjes Duraku nuk i lejohej kyçja e ujësjellësit dhe kanalizimit, ndonëse ajo vazhdimisht bënte kërkese në shërbimin urbanistik të komunës. Gjatë kësaj kohe bëhet e ditur se për 15 herë rresht është kyçur ujësjellësi dhe është shkyçur nga pushteti.

Vendimet çmendurake

Në një Vendim me nr 2-356-7, të datës 04.06.1986, një ekspeditë prej 42 policësh të armatosur deri në dhëmbë, në krye me kryeshefin e policisë  të njohur si Panta dhe 60 punëtorë të tjerë të sjellë nga Ndërmarrja Ndërtimore “Integral”, ndërmarrin aksionin për rrënimin e shtëpisë e cila zgjati për shtatë orë rresht, duke filluar nga ora 8 e mëngjesit e deri sa zgjati orari i punës në ora 15,oo.

Po kaq zullumi i pushtetit ndaj vëllezërve Duraku nuk u n dal, provokimi i radhës filloi, më datë 02.06.1987, pikërisht një vit më vonë, me nr. të Vendimit 2-354-18, merret urdhri që sërish të shembet shtëpia, këtë herë nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Komunalia”, të cilët nuk arritën ta kryejnë aksionin dhe si përforcim sillen të burgosurit nga Burgu i Vranjës, nën mbikëqyrjen e policisë, të cilët me të kuptuar për çfarë është fjala refuzojnë urdhrin e policisë dhe kthehen nga kishin ardhur.

Dy vjet më vonë, në vitin 1989, Shaip Duraku, largohet nga puna së bashku me punëtorët e Shkollës Fillore “25 Maji”, në Bujanoc, për shkak refuzimit të Referendumit për suprimimin e Autonomisë së Kosovës nga Serbia.

Me një Vendim të përçudshëm të Entit për Punësim, me nr. 02-5/554-1, të datës 03.12.1991, Shaip Durakut dhe kolegëve të tij i ndërpritet e drejta e kompenzimit material.

Në kuadër të një Vendimi me nr. 3506/91, të datës 13.12.1992, Gjykata për Kundërvajtje e Bujanocit e dënon me të holla dhe vuajtje të dënimit me burg. Në periudhën prej 21.04.1992 e deri më 06.05.1992, Shaip Duraku, vuan dënimin me burg prej 15 ditësh në burgun e Vranjës. Në vitin 1994, Shaip Durakut, i merret pasaporta nga punëtorët e resorit të sigurimit shtetëror në Bujanoc.

Djemtë e Shaip Durakut: Luani dhe Adriani, gjatë kësaj kohe ndiqnin shkollimin në Preshevë, për të mos u bë pjesë e një shkolle me emrin e kobshëm në Bujanoc dhe me masa të dhunshme, që nxorën në rrugë nxënës e mësimdhënës. Luan Duraku, tani është menagjer i një restoranti prestigjioz në Texsas.

Autoritetet e Gjyqit komunal të Bujanocit, ia zinin për të madhe Shaipit, sepse, ai, sipas tyre paska penguar fëmijët e vet për t’i vijuar mësimet në shkollën me masa të dhunshme dhe ndërrim të emrit nga “25 Maji”, në “28 Marsi”, emër që lidhej me datën e kobshme të shembjes së Autonomisë së Kosovës nga Serbia. Gjithashtu, ai, akuzohej se është angazhuar për të zhvilluar mësimet nëpër shkollat –shtëpi, të cilat praktikoheshin atëherë edhe nëpër disa qendra kosovare.

Më 10 prill të vitit 1995, Shaip Duraku, ushtron një ankesë përmes avokatit Radisav Stojanoviq, që t’i kthehet pasaporta, por punëtorët e sigurimit shtetëror e kërcënojnë avokatin, duke i thënë se po mbron armikun kryesor kundër Serbisë, kështu që, ai, detyrohet t’i kthej paratë Shaipit dhe të heq dorë nga kërkesa me një lutje që këto kërcënime të ngelin në heshtje.

Në një Vendim tjetër, po të kësaj Gjykate me nr. 2-313-276, të datës 26.10.1993, i mbyllet lokali bashkëshortes, tashmë të ndjerë, Lebushe Duraku, të cilën e kishte hapur në cilësinë e rrobaqepëses, për ta mbijetuar krizën ekonomike. Dy vjet më vonë, më 31.11.1995, në mënyrë arbitrare nga organet komunale dhe shtetërore, lokalit të rrobaqepësisë i vihet vula plumbi si dhe i merret leja e punës zonjës Lebushe.

Rezistenca aktive

Të gjitha këto diskriminime të paraqitura më lart në mënyrë kronologjike, nuk e ndalën veprimtarinë e Shaip Durakut, në të gjitha sferat jetësore. Ai, përveç punës së pedagogut, ushtronte edhe disa veprimtari të rëndësishme shoqërore e kombëtare.

Në vitin 1992, kur në Luginë të Preshevës, u organizua dhe u mbajt me sukses Referendumi, për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës, Shaip Duraku, mbante postin e sekretarit dhe disa poste të tjera qendrore në kuadër të Partisë për Veprim Demokratik.

Në periudhën prej viteve 1993-1996, Shaip Duraku, emërohet anëtar i Komisionit për pranimin e studentëve nga Lugina e Preshevës në Universitetin e Tiranës.

Gjatë periudhës së mobilizimit të dhunshëm në Tërnoc e Bujanoc, më 24 prill të vitit 1999, Shaip Duraku, u gjet në ballë të aktiviteteve për ta bindur popullatën, që mos t’i braktisin shtëpitë e tyre. Në kohën e bastisjeve të familjeve shqiptare nga ushtria serbe, në mesin e të cilëve kishte edhe paramilitarë, faktet dhe dëshmitë flasin se shtëpia e Shaip Durakut, demolohet në tërësi, kinse kërkohej armë, drogë dhe Radio Stacion, i komunikimit me forcat e NATO-s.

Nga viti 2007, Shaip Duraku, shkon në Amerikë, tek djemtë dhe vëllezërit e tij, meqë kishte nevojë për shërimin e bashkëshortes, e cila për fat të keq ndërroi jetë tre vjet më vonë. Por edhe pas kaq vitesh pushteti serb, provoi t’i sillte telashe Shaip Durakut, për sjelljen e trupit të pajetë të bashkëshortes së tij për tu varrosur në vendlindje. Në kufirin e Serbisë, doganierët e hapin arkivolin, me pretekst se aty mos po fshihej para dhe drogë, mirëpo me intervenimin e gjyqtarit shqiptar, në Bujanoc, Ilaz Mustafa, tejkalohet ky maltretim.

Leja e legalizimit

Shaip Duraku dhe vëllezërit e tij, jetojnë përkohësisht në Amerikë e Kanada dhe kanë shtetësinë amerikane. Ata për çdo vjet vijën në vendlindje në Bujanoc, për tu çmallur me të afërmit e tyre, si dhe për ta zbukuruar shtëpinë e dikurshme të anatemuar dhe goditur nga masat e dhunshme të ish pushtetit, por që falë sakrificës arriti të qëndroj vertikalisht, e pamposhtur si kullat shqiptare.

Tani shtëpia e Shaip Durakut dhe vëllezërve të tij: Taipi, Avniu e Milaimi, është pajisur  me leje të legalizimit pas 38 vjetësh, pikërisht më 24 korrik të vitit 2017 edhe atë falë pushtetit popullor të mikut të tij e bashkë-partiakut Shaip Kamberi, kryetar komune në Bujanoc, ish deputet në Parlamentin e Serbisë.

SHKARKO APP