“Dita Ndërkombëtare e Rinisë” në Prishtinë

Diskutime për një qeverisje dhe ligje vizionare që do të përcillnin ndryshime edhe në shoqëri

 Nga Entela Binjaku

12 gushti njihet si “Dita Ndërkombëtare e Rinisë”, një datë e caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999 që synon të sjellë në vëmendjen e shoqërisë çështje që i takojnë rinisë, problematikave me të cilat ajo përballet dhe aspiratave të saj.  Në kuadër të kësaj dite në Prishtinë, partia “Aleanca Kosova e Re” organizoi konferencën me titull: “Rinia-forcë për avancim politik, ekonomik dhe social”. Në këtë konferencë të mbajtur në mjediset e hotelit “Swiss Diamond” morën pjesë dhe referuan prof. dr. Korab Sejdiu nga “AKR”, Ridvan Emini nga “Shoqata e Filozofëve të Kosovës”, z.Valdrin Dervishaj i “Rrjetit të Qendrave Rinore të Kosovës”, z. Besart Vllahinja drejtor i DKRS- Prishtinë, z. Isuf Zejna hulumtues nga organizata “Demokraci plus”, Vigan Sejdiu, aktivist i shoqërisë civile, Sami Boroci, anëtar i asamblesë së Këshillit Komunal Prishtinë etj.. Konferenca u drejtua nga sociologu Leutrim Sahiti, i cili në fjalën e tij çelëse foli për problemet me të cilat jeton rinia kosovare dhe për nevojën për më shumë vëmendje ndaj çështjeve që e shqetësojnë atë. Nga të pranishmit u theksua nevoja për një qeverisje dhe ligje vizionare që do të përcillnin ndryshime edhe në shoqëri, për ekzistencën e dy realiteteve një në Prishtinë dhe një të rrethinave, nevoja për promovim të ligjit për “Fuqizimin e të rinjve”, i cili edhe pse i miratuar prej shtatë vitesh është ende në letër, për një shoqëri, ku media dhe propaganda qeveritare e të shndërruar në imune ndaj shumë skandaleve dhe dukurive që ndodhin etj. Në këtë takim rinia ishte kryefjala duke përcjellë idenë për një rini të angazhuar profesionalisht, të edukuar dhe mirëshkolluar, larg përdorimeve të rëndomta që politika i ka bërë, pranë angazhimit vullnetar në shërbim të komunitetit, e punësuar dhe e orientuar në një treg pune që duhet të vijë në zgjerim.

Rinia është pjesa më e gjallë e trupit të një shoqërie, e aftë të prodhojë ndryshime dhe të sjellë risi. Në shoqëri të ndryshme rinia ka realizuar ndryshime përcaktuese për vetë historinë e një zhvillimi. Në Shqipëri p.sh. kufiri historik i viteve ‘90 është i lidhur me lëvizjen studentore dhe me aspiratën e të rinjve studentë të asaj kohe për një Shqipëri “si gjithë Europa”. Sot rinia nuk vlerësohet thjesht fazë faza e kalimit të individit nga fëmijëria tek i rrituri, por është ajo kategori e shoqërisë që qëndron në krye të zhvillimit teknologjik, në shkencë, art dhe kulturë. Në një shoqëri ku sipas Censusit të vitit 2011, 20.7 për qind e qytetarëve qenë më pak se 14 vjeç, 68 për qind qenë mes 15 dhe 64 vjeç dhe 11.3 për qind qenë mbi 65 vjeç, rinia ka një peshë të madhe për vetë zhvillimet e shoqërisë. Disa prej zhvillimeve në Shqipëri flasin për një pakënaqësi të lartë shoqërore. Herën e fundit në lotarinë amerikane aplikuan mbi 200 mijë qytetarë shqiptarë duke nënkuptuar nëpërmjet ikjes në kontinentin e largët dëshirën “për të mos u kthyer më”.

Për muaj të tërë qytetarët shqiptarët në vendet perëndimore renditeshin të dytët pas sirianëve, për azilkërkues, por ndërkohë që, të parët i largoheshin luftës, të dytët i largoheshin pakënaqësisë për të tashmen dhe pasigurisë për të ardhmen.

Raporti i të rinjve me ndryshimin, lidhja e tyre me kulturën dhe edukimin, aspiratat për një shoqëri të standardeve bashkëkohore, sjellja qytetare dhe shërbimet në të mirë të komunitetit etj., janë objekte të studimit të sociologëve. Por pritshmëritë për ndryshim shoqëria i lidh me pjesën më të gjallë të trupit të saj, që është rinia. Zhvillimet ekonomiko-shoqërore, që do të ndryshonin të tashmen, kërkojnë të rinj me vizion, të formuar me cilësi, të guximit dhe të veprimit, me aftësi të larta bashkëpunuese, të aftë për të mbrojtur mendimin e tyre. Të gjithë këto elementë lidhen me edukimin, me qëndrimin ndaj vlerave, me natyrën kritike të të menduarit, me ngritjen kulturore dhe me konceptet e një shoqërie të së drejtës.

…“Dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”- thoshte N.Frashëri në fundin e 1800-ës duke na sjellë në kujtesë nevojën e madhe që kishte shoqëria në kohën kur ai jetoi e veproi për njerëz të ditur, të shkolluar dhe me vizion të ndriçuar. Sot, kjo shprehje e këtij personaliteti të mendimit shqip është po aq aktuale, duke shtruar sërish nevojën për një shoqëri të ndërgjegjësuar për ngritje kulturore të vetvetes që të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës.

Një studim i para disa kohëve i fondacionit “Fridrih Ebert Stiftung” në Shqipëri jepte të dhëna për qëndrimin e të rinjve shqiptarë ndaj disa vlerave bazike për përparimin e një shoqërie.

Për shembull konkurrenca dhe kreativiteti, ku ishin mbështetur shoqëritë perëndimore në rrugën e zhvillimit, vlerësoheshin si të rëndësishme nga një numër i vogël të rinjsh të përfshirë në studim. Në studim të rinjtë shfaqnin rënie të besimit tek toleranca dhe tek altruizmi, si vlera të të bashkëpunimit njerëzor dhe kyçe për kulturën shqiptare.

Në të njëjtin raport, thuhet se të rinjtë shpenzojnë shifra minimale për atë ushqim që do t’i pasuronte shpirtërisht dhe do të ndikonte kulturalisht, pra për libra, filma apo teatër, ndërkohë që, shpenzojnë më shumë për kafe dhe veshje. Në kushtet kur kafenetë në vend janë shndërruar në institucion, duke mbjellë kulturën e apatisë, dembelizmit, humbjes së kohës, thashethemit dhe të marrurit me të tjerët, kjo rendje pas kafeneve nënkupton stil jetë pasiv dhe energji e pakanalizuar në drejtimin e punës. Ndërkohë që, puna “rrit dhe lumnon edhe popujt e vegjël” thoshte Ernest Koliqi në 1930-ën. Në një tjetër studim të kryer nga “Iniciativa Studentore kundër Korrupsionit në Universitetet Publike”, mbështetur nga Ambasada Amerikane i kryer në 5 prej universiteteve publike mësohet se nga të rinjtë universitarë 87% e tyre pohojnë se në universitete ka korrupsion, edhe pse 78 % e tyre shprehen se, “nuk kanë qenë ndonjëherë protagonistë të ndonjë ngjarjeje korruptive” ndërkohë që, 83% e tyre shprehen se njihnin dikë që ka pasur një aferë të tillë”.

Ku edhe pse në dijeni të kësaj dukurie nuk kanë ku të denoncojnë, sepse edhe vetë organet e zgjedhura nga radhët e bashkëmoshatarëve, ku duhet të mbështeten dhe të përfaqësohen, janë të mbërthyer po ashtu prej korrupsionit. Në vitin 2013 raport i Bankës Botërore pohonte se të rinjtë në Shqipëri po keqarsimohen duke mos arritur të përvetësojnë as aftësitë më minimale. Raporti doli në rezultatin tronditës se 57% e 15- vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë. Sot një pjesë e këtyre të rinjve janë pjesë e mjedisit universitar ose priten të bëhen pjesë e tij duke përforcuar dyshimin se pjesa më e gjallë e shoqërisë është e papërgatitur për sfidat që ka përballë shoqëria. Të dhënat nga pyetësorët e zhvilluar me studentë dhe të rinj gjatë bisedave në fokus-grupe të krijojnë idenë se krahasuar me të rinjtë e shoqërive të tjera europiane, të rinjtë tanë janë më pak të përfshirë në veprimtari shoqërore, gjë e cila u theksua edhe në konferencën e mbajtur në Prishtinë. Në radhët e të rinjve ne vend punon një në pesë të rinj dhe po aq merren me aktivitet vullnetar.  Që kjo gjendje të ndryshojë shoqëria ka nevojë të promovojë të rinj me rezultate të larta, të aftë dhe aktivë njëkohësisht, në gjendje të shprehin dhe të mbrojnë mendimin e tyre lirisht, të interesuar për aftësim profesional, që çmojnë plotësimin shpirtëror, që aktivizimin në jetën shoqërore e kuptojnë si mundësi për të shprehur dhe përmbushur vetveten. Të rinj që shohin se misioni i tyre në këtë kohë, si në çdo kohë, është t’i japin shoqërisë shqiptare, mundësinë për të ndryshuar dhe për të përparuar në përmbushje të aspiratës, pavarësisht se ku jetojnë, këtej apo andej kufirit sepse siç Konica thoshte: “Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim”.

SHKARKO APP