“Ditë vendimtare”, sot mbyllet kapitulli i dosjeve në Hagë
Dosjet përfundimtare në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dorëzohen sot në Gjykatën Speciale në Hagë.
Materialet përkatëse do t’i paraqiten trupit gjykues nga Prokuroria, përfaqësuesi i viktimave, si dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas dorëzimit të dosjeve, procesi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare, të cilat pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e kësaj faze, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe deri në këtë fazë të procedurës nuk kanë pasur mundësi lirimi nga paraburgimi.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, trupi gjykues do të ketë një afat prej tre muajsh për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan në nëntor të vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës dhe lëshimit të fletarrestimeve nga një gjykatës. Prokuroria pretendon se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Gjatë fazës paraprake, Prokuroria i ka dorëzuar Mbrojtjes mijëra faqe prova. Ndërkohë, Mbrojtja ka zhvilluar hetimet e veta dhe ka ngritur kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Viktimat kanë aplikuar për të marrë pjesë në proces dhe aktualisht janë 155 persona të përfshirë.
Midis prillit 2023 dhe prillit 2025, Prokuroria ka thirrur 125 dëshmitarë, ndërsa nga shtatori deri në nëntor 2025, ekipet mbrojtëse kanë thirrur shtatë dëshmitarë. Secila palë ka pasur mundësinë të parashtrojë pyetje dhe të kundërshtojë dëshmitë e palës tjetër.
Sipas ligjit, një i akuzuar mund të mbahet në paraburgim vetëm nëse gjykata vlerëson ekzistencën e rreziqeve konkrete. Në më shumë se 25 rishikime të paraburgimit, gjykatësit kanë konstatuar se të akuzuarit paraqesin rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve.
Sa i përket procesit publik, nga 134 dëshmitarë që kanë dëshmuar në sallën e gjyqit, 61 kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse, pavarësisht kritikave për nivelin e transparencës së procesit.
KOHA JONË SONDAZH

