Draftstatuti i Asociacionit, barrë për qeverinë e ardhshme të Kosovës
Draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i hartuar nga Bashkimi Evropian do të jetë një barrë për qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, thonë analistët politikë. Megjithatë, sipas tyre, ky dokument është i dëmshëm për Kosovën dhe si i tillë nuk duhet të marrë vulën e ekzekutivit.
Njohësi i Kushtetutës së Kosovës, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se draft-statuti i Asociacionit sipas propozimit evropian dhe i mbështetur nga ShBA-ja, rrënon strukturën shtetërore të Kosovës.
Mirëpo, analisti politik, Seb Bytyçi, thotë për KosovaPress, se qeveria e ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mund të dërgojë draft-statutin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese nëse ka ndonjë ofertë konkrete për Kosovën në procesin integrues në BE, anëtarësimin në Këshill të Evropës, si dhe partneritetin për paqe të NATO-s.