Drejtori i Policisë së Kosovës publikon pamje nga vrasja e efektivit Afrim Bunjaku në Banjskë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se sulmi fillestar në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ka ndodhur me eksploziv.
Në një deklaratë për mediat, ai ka thënë se patrulla e policisë kishte shkuar për të parë se çfarë po ndodh me kamionët dhe ka ndodhur shpërthimi.
“Sulmi fillestar është bërë fillimisht me eksploziv, si pasojë e sulmit ka ndërruar jetë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i stacionit policor në Zveçan. Nuk u sulmua Policia Speciale, por patrulla policore e rendit publik.
Jemi ballafaquar me kritika se po dërgojmë Njësinë speciale në pjesën veriore, por e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me një lloj të tillë kërcënimi. Policët tanë janë në rrezik të vazhdueshëm atje.
Policët e rendit kishin shkuar për të verifikuar se çfarë ndodhi me kamionin, nëse ka pësuar ndonjë aksident apo si është puna, në moment kur ka shkuar është përdorur eksplozivi”, ka thënë Hoxha.