DW: A do të ketë Kosova një qeveri të re këtë javë?

Presidenti Thaçi paralamëroi se këtë javë do të ndërmarrë hapat kushtetues për të mundësuar një qeveri të re të Kosovës. Deklaratën e Thaçit në twitter e shpërndau i ngarkuari amerikan për dialogun, Richard Grenell.

I ngarkuari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, paralajmëroi se tarifa dhe reciprociteti ndaj Serbisë mund të hiqet këtë javë dhe sapo ato të hiqen, dialogu Kosovë-Serbi do të fillojë seriozisht. Këtë deklaratë, Richard Grenell e bëri në twitter, ku njoftoi se ka biseduar me telefon me liderët politik në Kosovë e Serbi duke mos saktësuar se me cilët.

Grenell: Atëherë bisedimet fillojnë seriozisht

Më 1 prill kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti e ka hequr tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, por, vendosi masë reciprociteti tregtar ndaj Serbisë. “Sapo të hiqen tarifat dhe reciprociteti, mbase këtë javë, atëherë bisedimet fillojnë seriozisht. Unë kam biseduar me udhëheqësit në Serbi dhe në Kosovë për të sqaruar, se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim në përgatitje, dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë”, shkroi Richard Grenell në twitter. Ai i bëri këto komente njëkohësisht duke e shpërndarë një postim po në twitter të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili paralajmëroi se “javën tjetër ai do të ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re të Kosovës.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga parlamenti, e aftë për të luftuar COVID-19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën”, shkroi presidenti Thaçi.

Ky i fundit tri herë radhazi i kërkoi liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, që të dërgoj emrin e mandatarit të ri për kryeministër, pas mocionit të rrëzimit të qeverisë Kurti me 25 mars, por, ky i fundit nuk i ka dërguar emër akoma, duke e ripërsëritur se presidenti vetëm mund të shpallë zgjedhje të reja, pas pandemisë. Në një letër që kryeministri në detyrë i shkroi presidentit, ai tha se “nuk e refuzon kërkesën e presidentit, mirëpo, ajo që nuk e kam te qartë është standardi i dyfishtë që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme”.

Reagime të Vetëvendosjes

Pas deklarimit të Richard Grenell, se këtë javë mund të hiqet tarifa dhe reciprociteti ndaj Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga seriozisht dialogut, reagoi zëvëndëskryeministri në detyrë nga radhët e Vetëvendojes Haki Abazi. “Tarifat janë hequr tashmë. Udhëheqësit dhe përfaqësuesit e vërtetë të popullit të Kosovës u zgjodhën më 6 tetor 2019. Pse po tregon mosrespektim për një vend miqësor demokratik dhe qeverinë e tij? Liderët në demokraci përcaktohen nga zgjedhjet dhe mbështetja / votat e njerëzve”, shkroi Haki Abazi në twitter.

Ndërkohë, ndaj presidentit Thaçi dhe paralajmërimit të tij se reciprociteti ndaj Serbisë duhet të hiqet ashtu siç po kërkon SHBA, reagoi ministrja e në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu që vjen poashtu nga Vetëvendosje, e cila thotë se “po përgatitet një marrëveshje e keqe për vendin”. “Presidenti i partive PLAN, bëri paralajmërime që do të ndërmarrë veprime jokushtetuese për formimin e Qeverisë si dhe paraqiti hapur qëndrimin për heqje të reciprocitetit duke e dëmtuar e rënduar edhe më shumë pozicionin e Kosovës. Kosova dhe qytetarët ia kanë parë sherrin këtij njeriu, i cili është në gjendje të bëj gjithçka për hir të vetvetes! Qëndrimi i tillë është paralajmërim i hapur se po përgatitet marrëveshje e keqe për vendin dhe e gjithë kjo paraprakisht përmes një plani të keq me qëllim të shkeljes dhe përmbysjes së vullnetit të qytetarëve”, shkroi Haxhiu në profilin e saj social.

Dialogu Kosovë-Serbi u ndërpre në nëntorin e vitit 2018, kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj i vendosi tarifën 100% në mallra Serbisë, pasi kjo e fundit nuk e ndalte aktivitetin e saj diplomatik kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Që nga ajo kohë Beogradi kushtëzoi rifillimin e dialogut me heqjen e tarifës, kërkesë kjo që u mbështet edhe nga SHBA-së dhe Bashkimi Evropian. Këta të fundit nga ana e tyre emëruan Mirosllav Lajqak, si ndërmjetësues në dialogut Kosovë-Serbi. Lajqak, në një shkëmbim letrash me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ka thënë se “jam i inkurajuar pasi lexova në letrën tuaj që Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe procesin e dialogut, dhe është e gatshme të punojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese”.

SHKARKO APP