DW: A ka ndonjë mjekim të ri për problemet e vjetra mes Kosovës e Serbisë?

Raundi i fundit i bisedimeve Serbi-Kosovë tregoi, se procesi i normalizimit të marrëdhënieve do të ngecë përsëri. A kanë Brukseli dhe Uashingtoni ndonjë kurë të re për problemet e vjetra të Ballkanit?

Kur mori përsipër detyrën e përfaqësuesit special për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera të hapura në Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, tha në pranverë se finalizimi i negociatave midis Serbisë dhe Kosovës është “çështje muajsh, jo vitesh”. Një optimizëm i tillë, por mbi të gjitha karriera domethënëse e diplomatit sllovak me përvojë, nxiti shpresën jo vetëm në një fillim të ri, por edhe në një dinamikë tjetër të dialogut, i cili qe bllokuar pas pothuajse dhjetë vjet negociatash nën kujdesin e BE-së. Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës rifilloi me takimin e liderëve të Serbisë dhe Kosovës në mes të korrikut të këtij viti, dhe tri raunde bisedimesh në nivel ekspertësh që pasuan në Bruksel në një periudhë të shkurtër kohore. Sidoqoftë, pas hovit fillestar, raundi i tretë i bisedimeve në nivelin e ekspertëve tregoi se dialogu për normalizim mes Beogradit dhe Prishtinës vazhdon të vuajë nga të njëjtat probleme.

Akuza të ndërsjella

Akuzat e ndërsjella dhe deklaratat kontradiktore nga të dy palët vazhduan, dhe BE-ja, si ndërmjetësi kryesor, hesht kur bëhet fjalë për përcaktimin e gjendjes së saktë të përparimeve në bisedime. E vetmja gjë për të cilën u pajtuan krerët e delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës, Marko Gjuriq dhe Skender Hyseni pas takimit të djeshëm (27 gusht) në Bruksel është se “bisedimet ishin të vështira” dhe se “pala tjetër nuk është konstruktive”.

“Jam i ngopur me gënjeshtrat që diskutohen në mbledhjet tona lidhur me njohjen e Kosovës apo se nuk ka shtëpi dhe apartamente të uzurpuara në Kosovë dhe se nuk ka probleme për shkak të të cilave njerëzit tanë nuk mund të kthehen në Kosovë. Ne kemi nevojë për një atmosferë dhe qasje konstruktive dhe jo për fjalime politike që nuk çojnë në një zgjidhje konkrete,” – tha Gjuriq.

Kurse Skënder Hyseni në një deklaratë të bërë më vete, ia kaloi përgjegjësinë për “bisedime të vështira” dhe për pengesa Beogradit, të cilin e akuzoi se “vonon me dashje procesin”. “Serbia synon të zgjasë procesin dhe të hedhë në tryezën e bisedimeve çështje që kanë vetëm një qëllim, të vonojnë procesin që në fund të dalë diçka që ne nuk do ta pranojmë fare,” tha Skender Hyseni.

Bisedime të vështira

Bisedimet e nivelit të ekspertëve midis Beogradit dhe Prishtinës po zhvillohen aktualisht për tri tema që u hapën në takimin midis Presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti në korrik, gjegjësisht çështja e të zhdukurve, e të shpërngulurve dhe e marrëdhënieve ekonomike. Delegacioni i Prishtinës u shpreh se Beogradi po e vonon procesin duke kaluar në detaje teknike. Beogradi thotë se këto detaje janë “me rëndësi jetike për njerëzit që jetojnë në Kosovë” dhe se “ato nuk do të kalohen shpejt” për hir të “deklaratave të rreme politike”. Pala kosovare insiston që dialogu i rifilluar nuk duhet të kthehet në çështje për të cilat “tashmë palët janë pajtuar” ose të zbresë në “nivelin teknik”, por qëllimi kryesor është të arrihet njohje reciproke midis dy palëve. Për Serbinë edhe thjesht përmendja e fjalës “njohje e ndërsjellë” është “minim i procesit të dialogut” dhe “mashtrim i publikut” nga ana e Prishtinës.

Kur i kërkuam përfaqësuesit të BE-së, si ndërmjetësi kryesor në dialog, që të na sqaronte se “për çfarë po diskutohet në të vërtetë” dhe “cila është e vërteta në deklaratat e të dy palëve”, morëm të njëjtën përgjigje si vitet e kaluara: “asnjë koment për procesin, i cili është në vazhdim e sipër”. Qarqet diplomatike në Bruksel deklarojnë se gjatë procesit të negociatave është e nevojshme t’u jepet të dy palëve mundësia që të “komunikojnë me publikun e tyre” në mënyrë të përshtatshme lidhur me kursin dhe rezultatet e bisedimeve dhe se negociatat nuk mund të jenë plotësisht “të hapura për publikun”. Në të njëjtën kohë, duhet të kihet parasysh fakti që ish-ministrja e jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ndoqi të njëjtat parime gjatë mandatit të saj pesë-vjeçar si ndërmjetësuese kryesore në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili përfundimisht rezultoi në një fiasko dhe bllokim të të gjithë procesit.

A janë BE-ja dhe SHBA partnerë të sinqertë apo rivalë në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës?

Megjithëse përfaqësuesi special, Miroslav Lajçak, e konsideron këtë raund bisedimesh mes ekspertëve si “përfundim të temave të filluara”, duket se çështja e të zhdukurve dhe e të zhvendosurve do të rikthehet në tryezën e bisedimeve më 7 shtator, kur është planifikuar një takim tjetër i liderëve të Serbisë dhe të Kosovës në të cilin do të hapen edhe tema të reja. Delegacionet do të vijnë në këtë takim në Bruksel direkt nga Uashingtoni, ku për datën 4 shtator është planifikuar një takim me ndërmjetësuesit amerikanë. Megjithëse i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, njoftoi se në Shtëpinë e Bardhë do të diskutohen çështje ekonomike delegacioni serb nuk mundi t’i përgjigjet pyetjes së DW-së se ku ndryshojnë këto “tema ekonomike” nga çështjet e “marrëdhënieve ekonomike” që Beogradi dhe Prishtina diskutuan gjatë dialogut në Bruksel. Për të njëjtën pyetje përfaqësuesi i BE-së në përgjigjen e vet tha vetëm se “të gjitha iniciativat që mbështesin dialogun në të cilin BE është ndërmjetësi kryesor janë të mirëseardhura”.

“Për BE-në Shtetet e Bashkuara janë një partner i rëndësishëm me të cilin ndajmë të njëjtat synime në rajon. Ne jemi në kontakte të shpeshta që nuk duam t’i komentojmë, ” – tha zëdhënësja e BE, Nabila Masrali. E pra nëse Brukseli dhe Uashingtoni janë partnerë të sinqertë që punojnë me një koordinim të tillë kur bëhet fjalë për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës mbetet për t’u parë, sikurse shpresojnë të gjithë në muajt dhe jo ​​vitet e ardhshëm.

SHKARKO APP