DW: Cili është problemi tani me Marrëveshjen e Ohrit?

Një sfidë e re për Serbinë, BE-ja dëshiron të përfshijë dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit në kapitullin 35 të negociatave. Çfarë do të thotë kjo?

Siç theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “për Serbinë as nuk shtrohet për diskutim pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, OKB dhe se për këtë ka njoftuar francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët dhe të gjithë e dinë këtë”. Aleksandar Vuçiç tha se “dy shtete po e shtyjnë fuqishëm këtë iniciativë”, por nuk specifikoi, se për cilat shtete bëhet fjalë.

Dyert e mbyllura të BE-së?

Disa diplomatë perëndimorë theksojnë, se Serbia po ia mbyll vetes derën e anëtarësimit në BE duke kundërshtuar që Marrëveshja e Ohrit të jetë pjesë e kapitullit 35, e për këtë çështje është deklaruar edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban. Orban tha se “nëse Marrëveshja e Ohrit përfshihet në kornizën e negociatave, pavarësisht kundërshtimit të Serbisë, Beogradi gjithmonë mund të mbështetet tek Budapesti”.

Në këto deklarata u vu re po ashtu se për këtë çështje mbizotëron përshtypja e urgjencës, sepse nuk ka përparim në negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo urgjencë shpjegohet me nevojën për zgjidhjen e disa gjërave para zgjedhjeve të ardhshme për Parlamenti Evropian në qershor 2024.

Normalizimi i marrëdhënieve = njohja e Kosovës

Problemi kryesor kur është fjala për këtë temë është se Aleksandar Vuçiq sillet sikur të mos e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, thotë për DW, Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane.

“Nëse zyrtarisht Kosova bëhet pjesë ekapitullit 35, atëherë është e qartë se në të ardhmen do të negociohet modaliteti i njohjes së Kosovës nga Serbia. Nëse bëhet pjesë e kornizës së negociatave, kjo do të thotë po ashtu se pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën po kërkojnë nga Serbia ta njohë atë. Kjo do të thotë gjithashtu se nëse në fillim të negociatave me BE-në nuk ishte e qartë se çfarë do të thotë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mendoj se tani, dhjetë vjet më vonë, është kristal e qartë”, thekson Beshiri.

Linja e kuqe

Në Beograd konstestohet para së gjithash formulimi se Serbianuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, thekson Igor Novakoviç nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri. “Mendoj se presidenti Vuçiq posaçërisht theksoi se bëhet fjalë për hyrjen e mundshme të Kosovës në OKB, pra në institucionet si UNESCO, për shkak të çështjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë. Nëse i kujtojmë vijat e kuqe, në momentin kur u arritën të dyja marrëveshjet, nga përfaqësuesit e Serbisë u theksua qartë se vija e kuqe ishte hyrja e Kosovës në OKB, kështu që qëndrimi i Serbisë nuk është shumë i ri”, tha Novakoviç për DW.

Naim Leo Beshiri thekson se “çdo vit që Serbia humbet me një propozim specifik, çon në një propozim edhe më të keq për vendin. Çdo propozim i ri që ka ardhur në tryezë ka qenë më i keq për Serbinë”, thotë Beshiri dhe shton se deklaratat e presidentit të Serbisë “se si futja e Marrëveshjes së Ohrit në procesin e negociatave do të thotë se BE-ja nuk dëshiron që ne të vazhdojmë këto negociata, ëshët deklaratë bombastike dhe antievropiane”.

“Kjo vazhdon deri në momentin kur ai të përballet me faktet, e këto fakte dëshmojnë se gati 80 për qind e ekonomisë serbe varet nga BE-ja. Sundimi i Vuçiqit nuk ekziston pa mbështetjen financiare të BE-së. Kjo është një përpjekje për të trembur disa liderë evropianë që ai mund t’i drejtohet Pekinit ose Moskës, por ky bllof nuk funksionon, sepse është e qartë për të gjithë se nuk mund ta ridrejtoni ekonominë tuaj në ndonjë treg tjetër përveç atij që ju rrethon, vlerëson drejtori i Institutit për Çështje Evropiane.

Igor Novakoviq beson se “pranimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia”, dhe shton se “nëse kjo ndodh realisht, përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit mund të komplikojë integrimin evropian të Serbisë, por tani pyetja është se a do të arrihet marrëveshje për këtë brenda vetë Bashkimin Evropian”.

Kundër BE-së

Duhet të theksojmë gjithashtu se integrimi evropian i Serbisë nuk ekziston, thekson Naim Leo Beshiri dhe shton se “kështu ka qenë në pesë vitet e fundit dhe se nuk ka ndryshim të dukshëm në reformat e Serbisë në rrugën drejt BE-së.” Në 11 vitet e fundit, Aleksandar Vuçiç ka treguar se nuk dëshiron të bëjë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit, sepse kjo do të nënkuptonte prerjen e degës në të cilën janë ulur ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Megjithatë, mbështetja për BE-në në Serbi është ende rreth 50 për qind, pavarësisht fushatës së pamatur të elitës në pushtet kundër BE-së, Perëndimit dhe kundër reformave sociale në Serbi”, përfundon drejtori i Institutit për Çështje Evropiane.DW

SHKARKO APP