Dy vajza që erdhën nga Italia në Kosovë dyshohen se janë prekur me koronavirus
Në Klinikën Infektive të QKUK-së në Kosovë, dy vajza dyshohet se janë prekur me koronavirus.
Infektologu në Klinikën Infektive të QKUK-së, Valbon Krasniqi, konfirmoi për Telegrafin se dy vajzat janë shtetase të Kosovës që kanë ardhur nga Italia.
“Po janë dy vajza të dyshuara, jemi në pritje të rezultateve. Ato kanë ardhur nga Italia, janë të moshës 20 dhe 23”, tha Krasniqi.
Deri më tani në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 57 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publikë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar, si dhe kanë dhënë disa rekomandime, që të shmangen kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksionet akute të frymëmarrjes dhe të mbahet higjiena personale.