E drejta shqiptare në Serbi, shkelet sistematikisht!

Nga Sevdail Hyseni/10 dhjetori, Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut, në Luginë të Preshevës, nuk u shënua me ndonjë aktivitet të theksuar në formë proteste, apo aksioni tjetër rrugor, kundër diskriminimit sistematik, të cilin e ushtron Beogradi zyrtar, ndaj shqiptarëve etnik në Serbi.

Mirëpo, në këtë drejtim, nuk mbeti pa u dëgjuar në formë kumtese, zëri i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, i cili, në raportin e tij vjetor, për vitin kalendarit të 2016, alarmon se nuk ka përmirësim të gjendjes së të drejtave të njeriut shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ndonëse shteti multietnik i Serbisë, është nënshkruese e një varg akteve dhe konventave ndërkombëtare, shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen nga shteti ku jetojnë edhe atë në të gjitha poret e jetës.

“Ky vit nuk shënoi asnjë proces serioz për përfaqësimin adekuat të komuniteteve pakicë në organet shtetërore, sidomos të nivelit rajonal dhe republikan, ku ata mbeten skjashmërisht të nënpërfaqësuar, në shpërputhje jo vetëm të standardeve të Bashkimit Evropian, por edhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe legjislacionit përcjellës”, thuhen në Kumtesën e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në Preshevë”.

Sipas kësaj organizate joqeveritare, që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Luginë të Preshevës, diskriminimi i shqiptarëve nga Beogradit kap sferën më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare: “arsimin, me mungesën e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë dhe mosnjohjen e diplomave të Kosovës, pastaj vazhdon me sferën e gjyqësorit, kthimin e Gjykatës themelore në Preshevë dhe zbardhjen e vrasjeve enigmatike dhe zhdukjen e civilëve gjatë njëzetvjeçarit të fundit”.

Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, thuhet më tej në Kumtesën e KDNJ, vazhdon me militarizimin e zonave kufitare Serbi Kosovë, me njësi të jashtëzakonshme të forcave speciale të policisë dhe me pjesëtarë të ushtrisë; sidomos pjesa e Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe Medvegjës; që e vështirëson qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe krijon një frymë të pasigurisë në mesin e popullatës vendore.

“Viti 2016 është karakterizuar, gjithashtu, me vazhdimin e praktikave të pasivizimit të vendbanimeve, sidomos në Komunën e Medvegjës, ku statistikat e përgjithshme të zbatimit të kësaj urdhërese ligjore dëshmojnë se kjo dispozitë është duke u aplikuar në mënyrë më aktive tek komuniteti shqiptar. Si pasojë, këta qytetarë po humbin edhe një sërë të drejtash tjera të cilat normalisht i gëzojnë me vendbanim (shërbimet sociale dhe mjekësore, shkollimin), si dhe mund t’iu rrezikohet edhe e drejta e votës, duke ia mohuar në të ardhmen të drejtat edhe si shtetas i Republikës së Serbisë”, konstaton KDNJ, në raportin e saj vjetor”.

Gjithnjë, duke i referuar, raportit të KDNJsë: “Mbetet jetike, që Qeveria e Republikës së Serbisë të rifillojë dialogun me përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të Luginës së Preshevës, lidhur me implementimin e marrëveshjeve qeveritare për Luginën e Preshevës; aq më tepër që ky vit është simbolizuar edhe me rënien e dinamikës së interesimit dhe pranisë të përfaqësuesve diplomatikë dhe joqeveritarë ndërkombëtarë në Luginën e Preshevës”.

Vlen të theksohet se shqiptarët e Luginës së Preshevës, janë të vetmit në viset e etnikumit shqiptar, që nuk e kanë të zgjidhur ligjërisht përdorimin e simboleve kombëtare dhe zbatimin në praktikë të dygjuhësisë. Shpesh këto pengesa ligjore i kanë sjell ata para një presioni të paparë nga autoritete e Beogradit, duke i gjobitur, arrestuar dhe dënuar me burg, për shkak përdorimit të Flamurit Kombëtar, në gazmendet familjare dhe në festat nacionale.

SHKARKO APP