“Edhe ne spektatorë si ju!” Nipi i Jakup Krasniqit i revoltuar nga operacioni i EULEX
Ndërsa forca të shumta policore nga njësia EULEX-it po bastisin shtëpinë e Jakup Krasniqit duke bllokuar edhe rrugën në të cilën gjendet shtëpia e tij, nipi i tij Dardan Krasniqi ka thënë për KosovaPress se nuk ka pasur më parë ndonjë njoftim paraprak.
Ai është i zhgënjyer sesi askush nga familjarët nuk është lejuar të afrohet tek shtëpia e Jakup Krasniqit, ku edhe po qëndrojnë forca të shumta policore nga njësia e EULEX-it.
“Momenteve të fundit nuk ka pasur diçka konkrete të tillë. Për rastësi unë edhe mbrëmë kam qëndruar me të deri vonë ndejë krejt familjare, nuk është vërejtur diçka. Ajo çka ne e dimë është që prej orës 5-6 të mëngjesit kanë ardhë këtu me gjithë këtë numër të madh të veturave dhe numër të madh të policëve. Ajo që po na shqetëson është se nuk po na lënë të afrohemi për të parë se nëse ka nevojë për diçka. E vërteta është se kanë ardhur, nuk kemi pasur njoftim. Edhe ne jemi spektatorë sikur ju”, tha ai për KosovaPress.
Nipi i Jakup Krasniqit shkrehi bindjen e tij të plotë në pastërtinë e luftës së Jakup Krasniqit.
“Është ditë që njerëzit që kanë qenë pjesë e UÇK-së do të ballafaqohen me këto gjëra. Unë jam i bindur në atë se ky nuk mund të përfaqësoj pjesën kriminale, nuk ka të bëjë me atë far pune. Pjesën tjetër mbetet të shohim”, u shpreh ai.
Të njëjtën gjë konfirmoi edhe Sevdije Krasniqi, bashkëshortja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për Radio Evropa e Lirë.
Sipas Sevdije Krasniqit, operacioni ka filluar në orën 5:30.
“Nuk na kanë ofruar kurrfarë dokumenti. Kështu që, nuk e dimë se cili është qëllimi ose arsyeja e ardhjes në shtëpinë tonë”, tha ajo.
Ndërsa e pyetur se a është në dijeni nëse do të arrestohet Krasniqi, i cili gjendet në shtëpinë e tij, ajo tha se ende nuk di asgjë dhe nuk e di arsyen e bastisjes.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), porse detaje të tjera lidhur me këto operacione do të jepen më vonë.
Ndërkaq jozyrtarisht mësohet se një operacion është duke u zhvilluar edhe në vendlindjen e Krasniqit, në fshatin Negroc të Komunës së Drenasit.
Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës, nëpërmjet një njoftimi, ka bërë të ditur se po i përcjell veprimet e EULEX-it lidhur me ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke theksuar se, “Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”.
“Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente. Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, thuhet ndër tjerash në njoftim.