Thaçi zhgënjehet nga Rama për Mini Shengenin: Nuk shkoj në takime ku nuk njihet Kosova

Marrëveshja mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç për Mini Shengenin Ballkanik është kundërshtuar dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një shkrim në Facebook, Thaçi ka goditur edhe Ramën për pjesëmarrjen e tij në Samitin rajonal në Ohër, ku merr pjesë Serbia dhe Bosnja, vende që nuk e njohin Republikën e Kosovës.

Thaçi ka bërë të ditur se vetë nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë Samit, teksa ka përmendur se arsye kryesore është se nuk mund të marrë pjesë në një takim ku nuk njihet Kosova si shtet. “Kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës“,shkruan Thaçi.

Kjo është hera e parë që Thaçi, i njohur dhe si mik i afër i Edi Ramës, kritikon publikisht kryeministrin shqiptar.

Reagimi i Hashim Thaçit:

Si President i Republikes së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese.

Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta  zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.

Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.

Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.

Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta. HTH.

https://www.kohajone.com/2019/11/09/rama-publikon-pamjet-nga-takimi-i-ohrit-ja-cfare-diskutoi-me-zaevin-e-vucicin-ne-takimin-120-minutesh/

SHKARKO APP