Edita Tahiri:”Pa pavarësim të KOSTT-it dhe marrjes së Kodit telefonik Shtetëror, nuk ka zbatim të asociacionit”

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri sot raportoi para Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, e cila u fokusua në temën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri sot raportoi para Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, e cila u fokusua në temën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në marrëveshjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo theksoi se marrëveshja e asociacionit është në pajtim me karakterin unitar të shtetit të Kosovës, e cila është në përputhje të plotë më Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj. Duke theksuar se shuarja e strukturave paralele serbe në Kosovë është kusht për themelimin e asociacionit, Tahiri u shpreh se “Pa u shuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, nuk do të ketë themelim të asociacionit. Organet e këtij asociacioni do të jenë të njëjta me ato asociacionit të komunave të Kosovës dhe si i tillë ky asociacion nuk do të kryej funksione të tjera përveç atyre që ia përcakton korniza ligjore e Republikës së Kosovës. Roli i tij do të jetë vetëm në përfaqësim dhe lehtësim të funksionimit normal të komunave me shumicë serbe”.

Tahiri theksoi se asociacioni nuk do të ketë kurfarë roli në menaxhimin e pasurisë dhe resurseve natyrore të Kosovës.

Ndërkaq anëtari i komisionit, deputetët nga opozita, Zafir Berisha vlerësoi se bisedimet me Serbinë janë gabim i madh që e ka bërë Kosova, duke theksuar se ato nuk janë teknike, por politike.

“Nuk e di pse është dashur të bisedohet me Serbinë për asociacionin kur ligjet e kanë paraparë, lejohet ajo. E keqja e gjithë këtyre bisedimeve është se Serbia është bërë palë e bisedimeve për çështje të brendshme në Kosovë dhe këtu mendoj se Kosova nuk e ka mbrojtur identitetin shtetëror dhe të institucioneve, sepse me Serbinë nuk ka pasë nevojë të bisedojë për urën e Ibrit, ura e Ibrit nuk është në Beograd por është në Mitrovicë”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se Serbia duhet t’i përgjigjet së pari gjenocidit të bërë, ku më se 1600 qytetarë vazhdojnë të jenë të pagjetur.

Ministrja Tahiri, duke iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara, theksoi se në Bruksel asnjëherë nuk është biseduar për vijën kufitare, duke theksuar se fjala ka qenë për konfirmimin e vijës administrative e jo për përcaktimin e saj. Duke vlerësuar rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Tahiri foli rreth zhvillimeve të fundit në vend, pas arritjes së marrëveshjeve mes këtyre dy palëve.

“Gjithë këto vite që ky dialog prodhon rezultate dhe qytetarët i shfrytëzojnë ato rezultate, përsëri kthehen dhe e kritikojnë dialogun. Për shembull, para se të fillojë dialogu i Brukselit qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtonin në Serbi dhe as nëpër Serbi, por qytetarët e saj hynin në Kosovë si në shtëpitë e vet, sepse në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nuk i kishim autoritetet shtetërore”, u shpreh Tahiri.

Ajo theksoi se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje është ndaluar udhëtimi i serbëve si në shtëpi të tyre, ku janë vendosur autoritetet shtetërore kosovare. Tahiri shtoi se tani Kosovarët me leje të njoftimit hyjnë në serbi dhe kalojnë nga ajo.

Tahiri gjithashtu nënvizoi se në kuadër të dialogut deri më tani janë arritur 33 marrëveshje dhe se të gjitha ato janë në pajtim me ligjet e Kosovës, ku të gjitha janë të publikuara. “Urnoni analizoni cila prej këtyre ka shkelur ligjet e Kosovës dhe më thirrni në bisedime. Atëherë mund të bisedojmë se a janë në interes apo në kundër interes të Kosovës”, tha Tahiri.

Ajo theksoi se me këto marrëveshje është arritur të shuhen strukturat paralele serbe në Veri, të cilat kanë vepruar me tolerimin e UNMIK-ut, si ajo e policisë, e doganës, të asaj paramilitare në urën e Ibrit dhe të sistemit juridik.

“Po vendosim sistemin juridik në pjesën veriore të vendit, do të kemi gjykatë themelore që do të punojë në 7 komunat në veri. Po e vendosim këtë system që nuke kemi pasur për 15-16 vjet”, tha Tahiri.

Tahiri gjithashtu rikujtoi se bisedimet Kosovë-Serbi janë bërë edhe gjatë luftës në Rambuje, edhe pas luftës në Vjenë. Ajo shtoi se në kuadër të këtij dialogu ekziston reciprociteti, dhe theksoi se edhe Serbia nesë dëshiron integrime në BE duhet ta njohë Kosovën. “Evropa nuk është në paqë nëse Ballkani nuk është në paqe”, tha ajo.

Ndërkaq, për çështjen e të pagjeturve, ajo theksoi se kjo do të zgjidhet kur do të bëhen gati listat e atyre që janë të pagjetur, si nga pala kosovare ashtu edhe nga ajo serbe.

Duke theksuar se në kuadër të këtij dialogu, deri tani kanë mbetur pezull marrëveshjet e kodit telefonik, pavarësimit të KOSTT-it (operator i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës) dhe ai i asociacionit, Tahiri u shpreh se “Ne nuk do të ndërmarrim asnjë veprim për zbatimin e asociacionit, nuk do të fillojmë veprimet për hartimin e statutit pa u zbatuar kodi telefonik për Kosovën. Pa e marrë Kosova kodin telefonik shtetëror dhe u bë pavarësimi i KOSTT-it ne nuk do të nisim asnjë veprim i hartimit të statutit”.

SHKARKO APP