Egoja për lider në rajon? Rama-Kurti pjesë e një rruge përçarëse

Nga: Redjon Shtylla

Që me prezantimin e ”Mini-Shengenit” për Ballkanin Perëndimor, Kosova ende sot kur nisma është kthyer në marrëveshje e që njihet si ”Open Balkan”, vijon që të jetë jashtë. Zv/kryeministrja e Kosovës dhe Ministre e Jashtme, Donika Gërvalla e ka konsideruar si të rrezikshme nismën, pasi për të krijohet përshtypja se rajoni ka alternativë tjetër në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Kurse sot Gjermania tregoi se e mbështet nismën ”Open Balkan”. Njohja e Kosovës nga shtete të BE-së është e rëndësishme thotë deputeti gjerman Peter Beyer, i cili po ashtu nënvizon se procesi i Berlinit kërkon impulse të reja.

Nisma e ”Open Balkan”, nuk është mbështetur nga të gjitha vendet e këtij rajoni. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar atyre të krijojë një treg të përbashkët, sepse nuk është arritur të merret miratimi nga të gjitha vendet. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë shkëputur duke bërë marrëveshje treshe dhe duke hapur rrugën edhe për të tjerët. Procesi i Berlinit, Minishengeni, Ballkani i Hapur, të gjitha kanë në thelb idenë e bashkëpunimit rajonal, përgjigjet Peter Beyer. ”Kosova duhet të kthehet sërish në lojtar të rëndësishëm, dhe duhet të kapërcejë pengesat ideologjike”.

Kurse kryeministri Edi Rama pas qëndrimit gjerman i drejtohet Kosovës, duke thënë se dera është e hapur, por nënëvizon se as nuk përfshijmë dot kënd me zor. Po ashtu Rama zbulon se Gjermania po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan, i cili do të mbahet në 6 tetor.

Kurse sot Behgjet Pacolli, ish-presidenti i Kosovës e cilëson si të dëmshëm rivalitetin apo sfidimin me udhëheqjes së Prishtinës dhe Tiranës. ”Unë besoj se për shkak të “rivaliteteve personale” krerët e shteteve nuk duhet të ndërmarrin asnjë veprim që mund ta dëmtojë Kosovën ose ta privojnë atë nga rrugëtimi i saj, veçanërisht kur ajo gjindet në “udhëkryqin e madh”.

Politologu Adri Nurellari, thotë se ka një ego nga dy kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti. Por nga ana tjetër nënvizon se nuk ka prishje të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, por veç mosmarrëveshje mes tyre. Ka një përplasje dhe helmatisje personale, për shkak se Rama dhe Kurti janë duke u treguar të pakujdesshëm duke mbjellë urrejtje.

Dje (10 gusht 2021) përmes një reagimi të gjatë në facebook, kryeministri Edi Rama i’a bëri të qartë ndjekësve të tij matanë kufirit se “Open Balkan” është mundësia e re në rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga nisma që ka si aktor kryesor edhe Beogradin zyrtar. Opozita shqiptare do të rikthehet në Kuvend dhe protestat janë një mundësi e madhe që të ketë, dhe nëse në këto protesta përfshihet Kurti me përkrahësit e tij nga VV, mund të themi që Kosova rrezikon të hyjë zyrtarisht në një kurs anti-shqiptar.

Edhe në të shkuarën të dy liderët kanë pasur përplasje për këtë temë. Albin Kurti ka pretenduar se Tirana nuk mund të marrë nisma me Beogradin pa u konsultuar më parë me Prishtinën. Kurse Rama, kur priti Vuçiçin në Tiranë e quajti Vetëvendosjen si një organizatë neo marksiste që beson në mënyrë delirante se mund të vendosi masa proteksioniste njësoj si Kina, apo Rusia. Kundërshtitë mes dy liderëve janë të mëdha, aq sa në zgjedhjet e 25 prillit vetë Albin Kurti ishte në Shqipëri ku tregoi mbështetjen për kandidatët e degës së VV-së në Shqipëri.

Edi Rama dhe Albin Kurti nuk e duan njëri-tjetrin dhe kjo është e dukshme, por kjo marrëdhënie e acaruar mes tyre do të ndikojë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe në rrugën e Kosovës për njohje nga vendet e tjera të BE-së. Duhet një politikë më vllazërore mes dy liderëve, pasi popujt nuk e duan këtë përçarje për shkak të nismës ”Open Balkan”, dhe kjo rrugë përçarëse mund të kthehet në bashkëpunuese.

SHKARKO APP