Eksodi kosovar, Kadare: Ka pamjen e një misteri. Si e humbën shpresën kaq shpejt?!

Shkrimtari Ismail Kadare  fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi për vitin 2015, ka thënë se eksodi i kosovarëve ka pamjen e një misteri, pasi organizmat që janë përgjegjës për këtë gjë nuk ka dhënë asnjë shpjegim.

Në një intervistë për emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga në Top Channel adare bëri një paralelizëm më shtetin e Greqisë, që po kalon një periudhë të vështirë ekonomike më 300 miliardë borxhë dhe nuk po i humb shpresat. Ndërsa Kosova një shtet i ri, po i humb shpresat.

Po ashtu shkrimtari me famë botërore tha se serbët  kanë nxjerrë një teori që i kënaq, se po bëhet një shtet islamik në Europë duke u shtuar xhamitë në Kosovë.

Një pjesë nga intervista

 Në 1999 kam qenë në Paris, në shtëpinë tuaj ndërsa po bombardohej Serbia, atëherë ju kishit frikën e luftës por edhe shpresën e krijimit të shtetit të Kosovës. 16 vjet më pas jemi në Jerusalem, ndërkohë Kosova po zbrazet.

Të them të drejtën unë nuk pretendoj të shpjegoj misteret e kësaj bote, për mua është një mister, ose ka pamjen e një misteri, përderisa organizmat që janë përgjegjës për këtë gjë, që duhet të jepnin shpjegime nuk po japin. Kjo është një ethe e pakuptueshme. Si e humbën shpresën këta njerëz të Kosovës kaq shpejt? Çduhet të thotë Greqia që ka 300 miliardë borxhe dhe s’di ku do t’i gjejë paratë, e përsëri nuk po e humb shpresën. Pra këtu po ndodh diçka e pashpjegueshme për mua. Thuhet kushtet ekonomike, është e vërtetë që kushtet ekonomike luajnë rolin e tyre, por vetëm marksizmi e shpjegon çdo gjë me kushtet ekonomike. Po ndodh diçka jonatyrale, diçka që është kundërthënëse me tërë atë flijim të madh që bëri Kosova për të fituar lirinë. Nuk ikin njerëz të një kategorie të caktuar, ta zëmë po ikin filozofët, sepse nuk paska nivel të mjaftueshëm filozofik në Prishtinë, për të zhvilluar idetë e tyre, ose po ikin disa kategori njerëzish të caktuar, që paragjykohen normalisht, etj. Këtu po ikin njerëz të të gjitha kategorive, po ikin njerëz të thjeshtë, pleq, fëmijë, gra të martuara,  edhe gratë shtatëzëna që është në kundërshtim me atë që thashë në fillim, me ligjin  numër 1 të qytetërimit. Çfarë logjike i shtyn? Nuk gjej shpjegim.

 Po serbët duan të thonë se shpjegimi është se shqiptarët nuk e bënë dot shtetin.

Serbët sigurisht nga kjo gjë nuk mund të kenë veçse një lloj kënaqësie, që këta njerëz nuk paskan një lloj problemi me lirinë, se lirinë e paskan. Ka disa teori serbe. E para se po bëhet një shtet islamik në Europë, duke u shtuar xhamitë në Kosovë, duke u shtuar predikimet, rrjetet sociale fetare, radikale disa herë, sigurisht është një kënaqësi për serbët që u del një profeci e tyre. Kjo është e çuditshme, paskan vuajtur vërtet shqiptarët nga mungesa e xhamive që ishin të pakënaqur? Jo, shqiptarët kishin mungesë të tmerrshme lirie, nuk kishin mungesë xhamish. Nuk besoj kurrë se problemi mund të jetë shtruar se ka qenë problem fetar, që kosovarët  ndjeheshin keq se u ndaluan xhamitë, kosovarët ndjeheshin keq se i priste burgu, se duhet të flinin natën me shtëpi të hapura që të hynte policia. E gjitha kjo është një mashtrim për të krijuar një alibi kundër lirisë, dmth zëvëndësojnë koncetin e lirisë me një koncept fetar, një gjë e pavërtetë krejtësisht. Unë nuk besoj kurrë.

Por ju i druheni krijimit të një shteti islamik në Ballkan, ku përfshinë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë. I druheni rritjes së numrit të xhamive, financimit?

Është një problem shumë delikat, pasi spekulimi që mund të bëhet është sheshit. Çdo diskutim rrezikon të marrë frymën e mashtrimit brenda. Psh për mua flitet shpesh, se Kadareja u ka bërë thirrje shqiptarëve të bëhen katolikë të gjithë. Ky është thjesht një mashtrim dhe të vjen keq, kur e dëgjon nga njerëz me autoritet fetar, nga klerikë në Kosovë, e kam dëgjuar vetë disa herë, bashkë me mallkimet për mua, ky tradhtar i kombit etj. Unë kam thënë absolutisht një gjë që është krej tjetër. Kam përshkruar një takimin tim me Ramiz Alinë, ku është hapur biseda e fesë, ku unë i thashë shefit të shtetit në atë kohë se Shqipëria është në pozitë të vështirë dhe ndër vështirësitë kryesore ishte afrimi me Europën e ndër to ishte dhe lejimi i fesë.

Unë i thashë filloni nga hapja e kishave për minoritarët grekë, ne e pranojmë që ata janë kombësi greke dhe kanë dyfish të drejtë të kërkojnë të parët, kisha, siç i ka vendi i tyre Greqia. Më pas të vazhdojnë me kishat e tjera, e më pas me xhamitë. Mendimi është që vetvetiu duke u afruar me Europën, mes shqiptarëve do të shtohej numri i ateistëve. Parashikimi im nuk doli, nuk ishte i vërtetë.

Sepse mesa duket shqiptarët nuk po zgjedhin kombin në vend të fesë…

Në Shqipëri është gati akuzë ose turp të përdorësh fjalën komb në mënyrë pozitive. Është në kokën e krimbur të disa pseudomodernëve tanë.  Përpara ka qenë toka, atdheu, dalëngadalë ka evoluar, e kombet janë relativisht të rinj, por kjo s’do të thotë se ne nuk kemi të drejtë të themi se jemi komb. Unë mendoj se një nga të këqijat e shqiptarëve është se e duan më pak se të tjerët kombin. Kombi është një strukturë e verifikuar nga historia sot, e pranuar nga historia moderne. Nuk është e përsosur si strukturë. Në emër të tij janë bërë spekulime, por spekulime ka me çdo koncept të shenjtë, spekulime të mëdha janë bërë me lirinë, të gjithë tiranët e përdorin fjalën liri, të gjithë tiranët spekullojnë me fjalën popull, sepse me gjërat e shenjta spekulohet. Pra me fjalën komb janë bërë krime, kjo është e vërteta, por është vërtetuar njëkohësisht që në botën e sotme struktura e kombit është më e përshtatshmja për të mbajtur në këmbë lirinë e një populli, pasi liria është një koncept kaq i brishtë, kaq sublim, kaq madhështor, saqë asnjë strukturë nuk e përballon dot. Sot fjala komb nuk është fjalë turpëruese, Europa zyrtarisht quhet Europa e Kombeve, familja e Kombeve.

SHKARKO APP