Ekspertët: Evolimi i ISIS dhe kërcënimi në Ballkan
Policia e Kosovës u përgëzua për arrestimin e 19 personave në gjysmën e parë të nëntorit, nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon. Ndonëse nuk janë dhënë hollësi se cilat ishin planet për sulme në Kosovë, policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.
Analistët thonë se derisa po përjeton humbje të territoreve në lindjen e Mesme, grupi militant Shteti Islamik po provon të nxisë simpatizantët e tij për sulme në vendet e tyre
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, thotë se arrestimet e fundit flasin për një dimension tjetër të veprimeve të individëve dhe grupeve ekstremiste.
“Kemi pasur deri tash tentime e synime dhe udhëtime për në vatrat e luftës në Siri, por, ky është një hap më tutje në veprime, d.m.th përgatitje dhe implementim të akteve të terroriste brenda territorit apo në ndonjë shtet fqinj, në rajon“, tha zoti Musliu.
Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, mirëpriti operacionet e policisë së Kosovës për parandalimin e një serie sulmesh të planifikuara, ndërsa theksoi se planet për sulm gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit i kishin kujtuar sulmin brutal mbi ekipin olimpik të Izraelit në Munich në vitin 1972.
Autoritetet në Kosovë thonë se e kanë situatën nën kontroll sa u përket veprimeve të grupeve ekstremiste, por siç thotë zëvendësministri i brendshëm Valdet Hoxha, terrorizimi është dukuri tinëzare.
“Thashë që kemi të bëjmë me një dukuri dinake dhe natyrisht që Kosova nuk mund të jetë imune, si edhe vendet me mekanizma të konsoliduar të sigurisë, siç është p.sh Franca apo Belgjika e shtetet tjera që janë përballur fatkeqësisht me akte të tilla. Por, brenda së mundshmes dhe në pajtim me ligjet pozitive të vendit, mekanizmat e sigurisë së Kosovës i kanë ndërmarrë dhe po i ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme në kuptim të parandalimit. Dhe kjo na jep atë sigurinë, duke i shtuar faktin edhe të arrestimit dhe të parandalimit të akteve të fundit të cilat kanë qenë të planifikuara të ndodhin në mënyrë të sinkronizuar në Kosovë, në vendet e Ballkani, madje edhe në ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit”, tha zv/ministri Hoxha.
Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për politika të sigurisë thotë se Kosova ka shënuar përparime në përballjen me ekstremizmin e dhunshëm prej muajit gusht të vitit 2014, “pas një periudhe që ka qenë realisht një periudhë e hirtë, për të mos thënë e errët e një heshtjeje në trajtimin publik dhe institucional të kësaj ideologjie ekstremiste që shpie në terrorizëm. Dhe gjatë kësaj periudhe përpos arrestimeve dhe përpos parandalimit të tentimeve për akte terroriste, kanë filluar përpjekjet për ndërprerjen e përhapjes së ideologjisë ekstremiste, por se këto përpjekje duhet të vazhdojnë dhe asnjëherë nuk mund të themi se kjo ideologji tashmë ka përfunduar në shtrirjen e saj në Kosovë”, tha zoti Ramadani.
Gjatë vitit 2016 autoritetet thanë se është shënuar rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në ato luftëra, ndonëse fillimi i vjeshtës shënoi raste të reja të shkuarjes apo përpjekjeve për të shkuar në ato zona.
“Jo, vërtetë është zvogëluar numri, madje ne mund të themi se është zvogëluar në tërësi. Janë ndalë fare shkuarjet në ato luftërat në Lindjen e Mesme. Kjo nuk mund të jetë absolute, sepse mund të ketë rrugë të tjera që mund t’i shpëtojnë rrugës normale të monitoruara jo vetëm nga mekanizmat tanë por edhe të partnerëve tanë. Por, një e vërtetë e madhe është që numri është zvogëluar, por madje mund të themi se është ndalur fare”, tha zv/ministri Hoxha.
Por Agim Musliu thotë se administrata e ngadalshme ka bërë që edhe reagimet të jenë të ngadalshme dhe punës së mirë të policisë duhet t’i bashkohen edhe mekanizmat tjerë.
“Nuk duhet të vetëkënaqemi e të themi se e kemi hartuar një strategji dhe kjo do të jetë për pesë vjetet e ardhshëm. Jo. Veprimet terroriste janë shumë më te shpejta, nuk kërkojnë administratë, nuk kërkojnë hierarki, por agjentët trajnohen dhe dërgohen nëpër gjithë globin, pra siç është i njohur edhe termi ‘terrorist interkontinental’ që dërgohen nëpër gjithë cepat e botës dhe veprojnë në mënyrë të pavarur. Pothuajse është e pamundur që të parandalohet një sulm i tillë, por ne nuk guxojmë të vetëkënaqemi me atë që i kemi parandaluar disa grupe dhe i kemi paraburgosur disa të dyshuar, por kjo është një luftë permanente që do të zgjasë shumë dekada dhe unë mendoj që është luftë e së ardhmes në gjithë globin”, tha zoti Musliu.
Qindra veta nga rajoni i Ballkanit u janë bashkuar luftërave në Siri dhe Irak dhe për një kohë të gjatë Bosnja dhe Kosova ishin radhitur ne krye të vendeve me më se shumti luftëtarë të huaj për kokë banori. Viti i fundit ka shënuar rënie të numrit të tyre edhe për shkak se autoritetet e bënë më të vështirë udhëtimin për në ato vende, ndonëse organizatat civile thonë se militantët kërkojnë rrugë të tjera.
Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.
Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.
Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.
Burim Ramadani thotë se institucionet duhet të veprojnë jo vetëm më forcën e ligjit por edhe të ashtuquajturat masa të buta.
“Në mënyrë që opinioni, familjet edhe familjet e të vrarëve tashmë në Siri dhe Irak, edhe familjet e të arrestuarve të ngritin vetëdijesimin se kjo është një ideologji që nuk ka të bëjë fare me fenë, nuk ka të bëjë fare me besimin fetar, është një ideologji politike e cila ka synime politike dhe këto synime politike shkojnë në kundërshtim të plotë me interesin kombëtar të Kosovës”, tha zoti Ramadani.
Instituti për Ekonomi dhe Paqe në Indeksin e Global të Terrorizmit për vitin 2016 ka radhitur Kosovën në vendin e 70-të ndërsa Shqipërinë në vendin e 92-të të listës së vendeve më të rrezikuara nga terrorizmi. Organizatat ndërkombëtare pohojnë se përfshirja e qytetarëve nga Evropa Juglindore në veprimtari ekstremiste nxitet nga shumë faktorë që pjesërisht cilësohen si tradicionalë, të tilla si margjinalizimi i pakicave, ideologjitë radikale dhe mungesa e shpresës për ta ardhmen, ndërsa të gjithë këta faktorë janë përforcuar nga ritmet e zhvillimeve gjeopolitike ndërkombëtare.