Eksperti i OBSH-së paralajmëron rritje të frikshme me koronavirus për çdo javë në Kosovë
Eksperti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Merkur Beqiri ka thënë se koha mesatare e dyfishimit të rasteve me koronavirus në Kosovë është shkurtuar në afërsisht një javë, teksa 79 raste të reja janë regjistruar brenda një dite.
Beqiri, ekspert dhe konsulent ndërkombëtar me përvojë mbi njëzetvjeçare në menaxhimin e të dhënave, përfshirë në shëndetin publik, përmes një grafiku të përditësuar të tijin, të skenareve të parashikimit të përhapjes së koronavirusit, ka paralajmëruar për kujdes të shtuar.
“Koha mesatare e dyfishimit të infeksioneve në Kosovë ra sot më keq në 6.8, nga 9.3 sa ishte dje”, shkruan Beqiri në “Facebook”. Kjo nëkupton dyfishim potencial të rasteve përafërsisht për çdo javë “nëse nuk ndryshon diçka ose te virusi, ose tek ne”.
Të dielen, IKSHPK ka thënë se janë regjistruar 79 raste të reja me koronavirus, duke e ngritur në 362 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
“Virusin nuk mund ta ndryshojmë, por tek vetvetja mund të ndikojmë, poashtu edhe tek njerzit rreth nesh. Thërrasim për vigjilencë, vetëdije, konsideratë për vete, për familje, për komunitet dhe për të gjithë popullin”, shkruan ai.