Ekspresionizmi i “Çiftit Martin” të Bekim Lumit

Nga  Ilir Muharremi –

Derisa po ngjitesha nëpër shkallët e Teatrit Kombëtar, me qëllim që të hyja e ta shikoja shfaqjen e regjisorit Bekim Lumi  “Çifti Martin” të autorit Eugene Ionesco, në hyrje takova regjisorin Lumi. Ishte paksa i emocionuar dhe po priste mysafirë të cilët kryesisht ishin adhurues të teatrit. Ata me plot kuriozitet dhe pa ndonjë paragjykim ishin ardhur ta shohin punën e Lumit. Punë në të cilën askush nuk dyshon, madje disa pëshpëritnin se kjo shfaqje mund të krahasohet si shfaqjet më të mira të Lumit, edhe unë isha dakord me këto pëshpërima, natyrisht.

Bisedova pak me regjisorin Lumi dhe u ndava tejet i kënaqur me të, madje ai mi dha edhe dy bileta që të futesha brenda, të cilat edhe doja t’i blija. Një pritje fenomenale e Lumit, të cilën edhe po e prisja. Hyra u ula ne ulësen e parafundit dhe me ëndja po prisja të fiken dritat dhe të fillon shfaqja. Kjo u bë, në skenë u shfaqen aktorët Astrit Kabashi dhe Gresa Pallaska, të cilët ishin edhe një ndër rolet kryesore të shfaqjes. Ndërkaq, përveç tyre shoqërues me një harmonikë ishte edhe një djalosh i ri i cili gjatë gjithë shfaqjes ishte ulur në skaj të skenës. Dy personazhet kryesore; Kabashi dhe Pallaska me një mjeshtri tejet të lartë profesionale kanë ndërtuar dy role të mrekullueshme. Kabashi burri i saj, ndërsa ajo gruaja. Mbi bazat e ekspresionizmit ata krijonin vazhdimisht dialogë dhe konflikt cili shpesh herë kalonte edhe në parodi.

Përveç që ata krijonin një dialog tejet profesional, ata bënin edhe figura estetike me një kuptim të thellë artistik i cili shpesh herë na shpinte edhe në surrealizëm. Gjetja e mrekullueshme e Lumit është ajo kur Çifti Martin ishin shtrirë afër njëri tjetrit dhe me këmbët e tyre krijonin dialog. Aq me mjeshtri dhe precizitet ata lëvizin këmbët e tyre, sa që dukeshin që këmbët në të vërtet po flasin. Dukej si Teatër kukullash dhe hijesh, aty ku të gjitha zhanret bëhen një, aty ku e qeshura nuk kufizohet, shpërthen si magmë, aty ku emocioni e humb kontrollin dhe njeriu fluturon nga ulësja. Kjo ishte njëra prej gjetjeve e Lumit.

Ndërsa, gjetje tjetër e cila ishte fokusuar më shumë në estetikë është ajo kur Çifti luan më dy ombrella dhe bëjnë një lojë zigzage konkrete. Mirëpo, kjo estetikë ishte në kuadër të shfaqjes. Vija dramaturgjike ishte shtrirë tejet mirë. Ndërsa, në skenë nuk mungonte edhe një pjesë e mjuziklit e cila realizohet mjaftë me pedanteri nga Pallaska si dhe nga Kabashi.

Kur po i vështroja të dy aktorët, unë fisnikërohesha, mallëngjehesha, nganjëherë edhe qeshja me paroditë e tyre, por nganjëherë me vinte edhe të qaja me ndonjë lot ironie. Sa i përket skenografisë, Lumi jo veç në këtë shfaqje, por edhe në shfaqjet e më hershme nuk i kushton shumë rëndësi, ai gjithnjë përdorë teatër të varfër, të cilin e pasuron me shpirt, absurd, emocione surreale si dhe kuptim të thellë filozofik e konkret.

Është një regjisorë shembull për regjisorët të tjerë Kosovar, një regjisorë i cili me shfaqjet e tij jo veç që të futë thellë në ngjarje, por të bën të mos e harrosh shfaqjen me vite të tëra. Është  një mjeshtër i cili di për mrekullisht t’i shfrytëzoj edhe ato pak gjëra në skenë, e pikërisht ky është teatri modern. Di të “qëndisë” bukur dialogët dhe aktorët, mundohet që të fjeturat e tyre t’i zbuloj në dritë, madje këtë ai edhe bën. Ndërsa, sa i përket “Çiftit Martin”, Lumi ka bërë një punë të madhe ka zgjuar nga gjumi teatrin konkret, i cili kishte fjetur për një kohë të gjatë.

Dialogu i Martinëve është një lojë e cila ndërtohet me një bashkëshortë dhe bashkëshorte në një metro. Ata dy gabojnë dyert e trenit. Pas dy apo tri stacioneve, udhëtarët nisën të dalin dhe vagonët zbrazën. Ndërsa, gruaja i afrohet burrit duke i thënë: “Zotni, më duket se ju kam takuar dikund! Kështu edhe fillon kjo lojë…

Teksti është botuar më 3.1.2009 në gazetat Shqiptare

SHKARKO APP