“Enveristë” ka edhe në Kosovë (Foto)
Pak minuta larg qendrës së qytetit të Ferizajt, në ndërtesën e gjimnazit të parë të vitit 1938 në këtë qytet, mes shkurresh dhe pemësh që bëjnë hije, ndodhet zyra e Frontit Popullor për Kultivimin e Veprës së Shokut Enver Hoxha.
Sekretari i kësaj organizate, Agim Xhigoli rreth të 60-ave, hap derën e Frontit dhe përpara shfaqet një bust rreth një metër i lartë i vendosur në ballë të dhomës. E tërë dhoma është e mbushur me fotografi.
Një pjesë e tyre janë fotografitë ikonike të Enver Hoxhës, udhëheqës i Shqipërisë që pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1945 deri në vdekjen e tij më 1985. Vite më parë publiku i Shqipërisë u trondit me pamjet që dolën nga Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë në Prishtinë të një mbledhjeje përkujtimore të hoxhaistëve kosovarë, ku Enver Hoxhës i thureshin lavde e i përmendeshin sukseset e udhëheqjes së tij.
Madje, duartrokitjet e gjata që shoqëroheshin me thirrjet e emrit të tij që të kujtonin pamjet e mbledhjeve të kongreseve të punës së PPSH-së, sigurisht në Shqipëri, nuk lanë shije aspak të mirë. Kosovarët janë të njëanshëm kur vjen puna te udhëheqësit e Shqipërisë. Pa i përjetuar në lëkurën e tyre politikat që burrështetasit e Shqipërisë mund t’i ndjekin, kosovarët apriori krijojnë simpati për ta, duke i konsideruar si burrështetas të kombit në përgjithësi dhe jo si zyrtarë me funksione e përgjegjësi të caktuara.
Për këtë arsye, kur vjen puna te figura e Enver Hoxhës, shqiptarët e Kosovës nuk kanë emocion për sa i përket jetës në kohën e tij, ata e shohin atë vetëm në nivel makro të politikës e historisë dhe më shumë nga aspekti i aktivitetit të tij nacionalist. Agim Xhigoli, i cili ngjan më i ri se mosha e tij, ndoshta edhe ngaqë ka qenë notar dhe merret ende me sporte, tregon se Fronti në Ferizaj u themelua në vitin 2000. “Enver Hoxha ishte frymëzuesi dhe ideatori i të gjitha lëvizjeve për çlirim dhe bashkim kombëtar”, tregon sekretari i Frontit, duke sqaruar anët më të forta të Enver Hoxhës. Për të, Enver Hoxha ishte i dinjitetshëm dhe para tij “dridheshin armiqtë e lindjes dhe perëndimit”.
Xhigoli nuk thotë vetëm fraza letrare për njeriun më të rëndësishëm, sipas tij, të kombit shqiptar, por përmend zhdukjen e analfabetizmit dhe elektrifikimin e vendit po ashtu. Por ajo që është më e rëndësishmja për të, është ruajtja e Shqipërisë siç është sot. “Në atë kohë, jeta mund të ketë qenë e vështirë për shqiptarët, por duke e parë nga sot, është e qartë që Shqipëria e ka ruajtur sovranitetin për shkak të Enverit”, sqaron ai për GazetaJNK. Sekretari enverist thotë se Fronti Popullor për Kultivimin e Veprës së Shokut Enver Hoxha në Ferizaj ka lëshuar deri më sot rreth 5000 libreza anëtarësimi dhe të paktën 300 prej tyre disponohen nga anëtarë aktivë.
Ndonëse Xhigoli ishte qytetar i Jugosllavisë, ai e urrente atë. Ai shpjegon se në atë kohë kishte vetëm dy mundësi, ose ishe titist ose enverist, “natyrisht, ne shqiptarët e Kosovës nuk mund të bëheshim me Titon, por me Enverin”, shpjegon ai. Ndryshimin e sistemeve nga ai socialist në kapitalist, sekretari e sheh si të rrezikshëm për njerëzit, mirëpo shpreh bindjen se socializmi do të vijë përsëri. Madje, thekson se “Enver Hoxhën s’mund ta ngjallim, por socializmi ka me ardhë prap”.

KOHA JONË SONDAZH

