“Erdogan po udhëheq Kosovën”

Sot ka rënë Republika. Presidenti i Turqisë, përmes veglës së tij, Hashim Thaçit, ka kidnapuar pesë shtetas turq në kudër të luftës së tij të shtrigave me të dyshuar për “puçin” e vitit të kaluar. E Thaçi, si vegël e Erdoganit, ka futur në funksion veglat e tij për ta kryer këtë operacion; Shefin e AKI-së, Driton Gashin Drejtorin e Policisë Shpend Maxhunin dhe Ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj.

Presidenti Hashim Thaçi ka marrë kontrollin e gjithë mekanizmave të tij, duke qitur jashtë loje krerët tjerë institucionalë.

Ai, pas operacionit me Marko Gjuriqin, sot ka drejtuar edhe një operacion tjetër; atë të kidnapimit të pesë shtetasve turq që po punonin ndershmërisht në Kosovë tash e sa vite.

Burime të Gazetës Express thonë se i gjithë operacioni është kryer përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ku Thaçi e ka në krye njeriun e tij, Driton Gashin.

Kjo agjenci, duke ju referuar ligjit, ka vendosur t’ua revokojë lejen e qëndrimit pesë shtetasve turq me arsyetimin se “përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare”. Dhe kështu, policia e Shpend Maxhiunit, marionetës së Hashim Thaçit, ka arrestuar brutalisht shtetasit turq.

Krejt kjo është bërë në fshehtësi të plotë dhe kundër parimeve dhe lirive të drejtave të njeriut.

Gjatë arrestimit/kidnapimit janë lënduar edhe fëmijët e shtetasve në fjalë.

Në kohën kur është shkruar ky tekst, tashmë pesë shtetasit turq janë transferuar në Turqi, ku sigurisht se i presin torturat dhe gjykimet e montuara politike.

Burime të Gazetës Express thonë se diplomatët perëndimorë janë jashtëzakonisht të mllefosur me krejt këtë çfarë ka ndodhur sot.

Republika sot ka rënë. Erdogan po udhëheq Kosovën, përmes veglës së tij, Hashim Thaçit.

GazetaExpress

SHKARKO APP